Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali është në Durrës ditën e sotme, ku u njoh nga afër me puën që po bën Shtabi i Emergjencës Civile.
Spiropali siguroi qytetarët se grupet e verifikimit në terren do të shkojnë në çdo banesë për të patur një raport të hollësishëm mbi dëmet e shkaktuara dhe dëmshpërblimin për banorët.
"22 grupet e verifikimit që përbëhen nga inxhinierë shqiptarë dhe të huaj kanë bërë 850 verifikime të objekteve, ndërsa puna vijon. Do të verifikojmë edhe banesën më të fundit si në Durrës edhe në Tiranë, sepse duam që të sigurojmë qytetarët, por njëkohësisht të kemi një raport për banesat. I kemi bërë thirrje edhe partnerëve tanë për të na dërguar specialistë. 14 biznese në Durrës i janë përgjigjur thirrjes së Shtabit për të nisur riparimet aty ku mund të bëhen ndërsa paralelisht prokuroria po heton në lidhje me ndërtimet e dëmtuara dhe të ndërhyrjeve të dëmshme", tha zëdhënësja e qeverisë.
Spiropali foli edhe për paketën e ndihmës që miratoi parlamenti një ditë më parë për familjet e viktimave të tërmetit dhe projektin e rindërtimit të banesave.
"Në parlament kaluam paketën e ndërhyrjeve që qeveria ka bërë për familjarët e viktimave, pasi këta janë në gjendje shumë të rëndë. Projekti i rindërtimit nuk lidhet vetëm me emergjencën, por me një projekt të madh. Do vendosim në dispozicion të gjithë burimet e mundshme financiare.", tha ajo.





