Kryesia e PS-së ka dalë sot në përfundimin se me anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor dhe shfuqizimin e dekretimit të datës së zgjedhjeve, presidenti i vendit e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë detyrë dhe do të nisë në Parlament procedurat për shkarkimin e tij.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, zëdhenësja e qeverisë, Elisa Spiropali, ka bërë me dije se kryesia ka diskutuar dhe ka vendosur nisjen e procedurave për shkarkimin e Metës, duke filluar nga seanca e së enjtes.
“Të enjten në seancë plenare do të zhvillohet një debat i gjatë ku do të paraqiten të gjithë argumentet se si Meta ka dhunuar Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë kushtetutë të quajtur çdekretim. Ky debat do të përmbledhë të gjithë argumentet dhe më pas do t’i takojë Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ ta shqyrtojë. Meta e ka humbur të drejtën për të qenë në atë pozicion dhe parlamenti do të nisë procedurat e shkarkimit”, tha Spiropali.





