DURRËS, 29 mars 2014 – Në spitalin Hygeia në Tiranë janë punësuar 4 individë me aftësi të kufizuara, njofton Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (FSHDPAK) me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), që po zbaton programin “Fuqizimi ekonomik i personave me aftësi të kufizuara përmes punësimit”, i cili synon nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara bazuar në aftësitë e tyre.
Një ndër komponentët kryesorë të programit, krahas këshillimit dhe orientimit, është dhe ndërmjetësimi me subjektet punëdhënëse për të punësuar individët me aftësi të kufizuara.
Deri tani, në kuadër të programit, janë këshilluar 311 të rinj punëkërkues me aftësi të kufizuara, prej të cilëve 96 janë orientuar në kurse të formimit profesional dhe 60 të tjerë janë përfshirë në praktika profesionale, punësim apo vetëpunësim në tregun e hapur të punës.
Së fundmi, në spitalin Hygeia janë punësuar 4 individë me aftësi të kufizuara. Ata punojnë aktualisht në pozicione të ndryshme pune në spital, në përputhje me formimin profesional dhe bazuar në aftësitë e tyre. Me qëllim promovimin e impaktit të programit u përzgjodh punësimi i katër individëve me aftësi të kufizuara si rast suksesi, duke qenë se e gjithë procedura e ndjekur deri në punësimin e tyre ishte një ndër më të spikaturat. Për këtë FSHDPAK-u organizoi më 27 mars 2014, në mjediset e spitalit Hygeia një takim paraqitës me pjesëmarrjen e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj, zëvendëses së tij Bardhylkë Kospiri, ambasadorit të Greqisë në Shqipëri Leonidas C. Rokanas, drejtorit për Programet e Zhvillimit USAID-Shqipëri Marc Ellingstad etj, drejtores ekzekutive të FSHDPAK-ut Blertë Çani (Drenofci), drejtuesve të spitalit etj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





