Nga dita e sotme, spitali rajonal i Kavajës bashkon shërbimet me spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, duke mundësuar kështu shërbimet e munguara mjekësore për popullsinë e zonës.
Ministrja e shëndetësisë Albana Koçiu tha se mjekë të spitalit universitar do të shërbejnë në spitalin e Kavajës. Ministrja tha gjithashtu se po punohet për të krijuar qendra të kualifikuara mjekësore rajonale, që do të shtrihen në të gjithë vendin.
Ministrja e shëndetësisë bëri të ditur shërbimet e reja që do të funksionojnë pranë këtij spitali.
“Ajo që është për t’u theksuar në qendrën spitalore rajonale të sapokrijuar ne do të kemi mundësinë të ofrojmë gjithashtu kirurgji ortopedike. Kjo qendër do të shërbejë edhe për rehabilitimin e atyre pacientëve, të cilët kanë sëmundje kronike pulmonare dhe ndërkohë do të shërbejë gjithashtu për fizioterapi, pediatri dhe gjithë shërbimet e tjera të nevojshme për qytetarët e Kavajës, Rrogozhinës, por edhe të zonave përreth”,- tha ministrja Koçiu.
Shtimi i shërbimeve dhe prania e mjekëve të specializuar nga Tirana pritet t’u vijë në ndihmë edhe turistëve të shumtë gjatë sezonit veror theksoi drejtoresha e spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, Silvana Bala.
Në qendrën spitalore rajonale “Shefqet Ndroqi”, njësia Kavajë, parashikohet që të kryhet edhe praktika e studentëve të mjekësisë dhe specializimi i mjekëve.
M.B.





