Brenda muajit janar të vitit 2012 spitali i Durrësit do të ketë përfunduar instalimin e skanerit dhe të rezonancës manjetike së bashku me kualifikimin e personelit të bluzave të bardha. Deklarimet janë bërë nga zëvendës drejtori spitalit rajonal, dr. Shaban Dedej. Ai ka bërë të ditur se prej dhjetë ditësh në Durrës është instaluar skaneri që pritet të nisë nga funksioni normal më shpejtë sesa rezonanca. Në të dy rastet investitori është Ministria e Shëndetësisë e cila i ka dhënë fund çështjes së skanerit në një nga qendrat e rëndësishme të shëndetit siç është spitali i Durrësit. Prej kohësh, kryesisht domosdoshmëria e një skaneri është bërë objekt diskutimi, pasi pacientët detyroheshin të shkonin tek klinika private për të bërë skaner.
Dedej ka pohuar se në Durrës prej disa ditësh gjenden një ekip austriakësh të cilët po kryejnë paralelisht instalimin e pajisjeve moderne, si dhe merren me kualifikimin e bluzave të bardha që do të shërbejnë tek skaneri dhe rezonanca. Dr. Dedej ka thënë se firma austriake që ka sjellë skanerin do të mund të dorëzojë në duart e mjekëve të Durrësit skanerin dhe më pas rezonancën diku nga fundi muajit janar të vitit 2012. Tenderi për të dyja këto aparatura të cilat kërkojnë infrastrukturë më vete, është bërë në Tiranë, ndërsa instalimi dhe vënia në punë do të zgjidhin probleme shumë të rëndësishme si për urgjencën, edhe për diagnostikimin. “Tani ne ndihemi të sigurtë dhe të kompletuar pasi pacientët tanë nuk do të kenë më asnjë nevojë të shkojnë tek privati për të kryer diagnostikime”, ka thënë dr. Shaban Dedej, zëvendës drejtori i spitalit në Durrës. Specialistët austriakë do të bëjnë çertifikimin e plotë të skanerit dhe rezonancës për t’ua lënë më pas në dorë personelit të kualifikuar të spitalit të Durrësit.