DURRES, 4 korrik 2013 – Pacientët që i drejtohen spitalit rajonal të Durrësit për të marrë ndihmë mjekësore, që prej tre muajsh përballen me mungesën e medikamenteve të nevojshme.
Në këtë spital nuk ka ilaçe dhe as pajisje të nevojshme gjatë operacioneve. Ky fakt konfirmohet nga vetë mjekët e spitalit të cilët tregojnë se tashmë janë kthyer vetëm në mjekë ambulator, ku lëshojnë vetëm receta, pasi nuk kanë medikamentet e duhura për t'i dhënë ndihmën e nevojshme pacientëve.
Mjekët e spitalit të Durrësit sqarojnë se pacientët trajtohen me ilaçe të blera nga vetë ato nëpër farmaci private, ose dërgohen për kurim në Tiranë.
Ashim Zogu Shefi i Repartit të Urgjencës pranë Spitalit të Durrësit, e justifikon këtë problem me fushatën elektorale dhe mos miratimin e tenderave për shpërndarjen e ilaçeve.
"Në urgjencën e spitalit të Durrësit, mungojnë të gjithë medikamnetet e nevojshmë për dhënien e ndihmës së parë për qytetarët që paraqiten me probleme të ndryshme shëndëtësore. Pjesa më e madhe e pacientëve, në mungesë të medikamenteve i drejtohen farmacive duke shpenzuar shuma të konsiderueshme monetare për blerjen e ilaçeve, të cilat normalisht duhet të ofrohen falas në spitalin rajonal të Durrësit. Kjo situatë ka ardhur si pasojë e mosbërjes së tenderit",- tha shefi i Repartit të Urgjencës pranë Spitalit të Durrësit, Ashim Zogu.
Mungesa e ilaçeve është reflektuar edhe tek pacientët, të cilët konfirmojnë se janë përballur me këtë problem që në momentin e parë që janë paraqitur pranë spitalit rajonal për të marrë ndihmën mjekësore.
Në urgjencën e spitalit të Durrësit, çdo ditë paraqiten për të marrë ndihmën e parë mjekësore mbi 150 pacientë, ndërsa ky numër pritet të dyfishohet përgjatë sezonit veror.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





