Forumit ekonomik Shqipëri- Kinë
Në forumin ekonomik Shqipëri- Kinë ku janë të pranishme mbi 100 kompani kineze, Kryeministri Sali Berisha tha se Kina i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit në fushën kulturore arsimore dhe se së shpejti në bashkëpunim me ambasadën e Kinës do të ngrihet në Tiranë instituti ku do të mësohet gjuha kineze.
Berisha tha para investitorëve kinezë se Shqipëria është vend me potenciale të mëdha dhe se ka krijuar një klimë biznesi ndër më miqësoret në rajon, pasi është vendi i vetëm në Europën juglindore që ka pasur rritje në investime. Ai theksoi se projekte të mëdha janë në diskutim e sipër ndërsa i garantoi kompanitë kineze se investimet e tyre në Shqipëri do shndërrohen në histori suksesi.
Sipas Kryeministrit, “Shqipëria ka krijuar një klimë biznesi ndër më miqësoret në rajon. Ajo është vendi i vetëm në rajonin e Evropës Juglindore që ka pasur rritje të pandalshme të investimeve. Kina kryeson rritjen ekonomike botërore, Evropa është në krizë. Për 5 vitet e fundit, Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë në Evropë. Ekziston një traditë e mrekullueshme, e cila në kushte të reja përbën një “know how” të shkëlqyer për investitorët e sipërmarrësit kinezë në Shqipëri”.
Duke ju referuar potencialeve të Durrësit, Berisha ka theksuar: “Ministri i Ekonomisë ju ofroi ju, në emër të qeverisë, një park industrial në zonën e Durrësit. Më lejoni t’ju informoj se kompania konsulente, ndër më të famshmet në botë McKensey , në një studim të bërë pak vite më parë, konstaton se lugina midis Tiranës dhe Durrësit përbën terrenin e një “shengeni ” të vërtetë për Evropën, ajo ka portin, aeroportin, infrastrukturën e gjithanshme. Në këtë kontekst, sipërmarrjet tuaja janë shumë të mirëpritura të përzgjedhin si territor për një park ekonomik atë sipërfaqe toke që duan dhe, në rast se përzgjedhin në zonën e Spitallës, ajo është tokë publike dhe e gjithë kontrata do të merret vetëm një 1 euro”.