Përfaqësues të rreth 300 familjeve, që banojnë përgjatë rrugës “Aristoteli” në zonën e Spitallës, zhvilluan sot një protestë. Shqetësimi i këtij komuniteti është mungesa e trotuareve, në rrugën që i është nënshtruar rikonstruksionit, me fondet e Këshillit të Qarkut.
Banorët kërkojnë që në përfundim të investimit të kenë një rrugë me standarte bashkëkohore, sepse nëse aksi në fjalë do të bëhet me trotuare me gjerësi 30 cm, aksidente të tjera rrugore do të regjistrohen në këtë zonë që deri tani kanë marrë 3 jetë njerëzore.

Ata janë dakort t’u prishen avllitë dhe rikonstruksioni të bëhet brenda parametrave të një infrastrukture rrugore bashkëkohore në këtë rrugë me gjatësi 550 metra.
Shqetësim më vete përbën edhe rrjeti i kanalizimeve, që duket se nuk do të shtrihet përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës.
Me fondin rreth 43 milionë lekë të akorduar nga Këshilli i Qarkut është parashikuar të kryhet rikonstruksioni i rrugës “Aristoteli” dhe sistemimi dhe asfaltimi i rrugës “Shekspir & Arzenta”. Punimet duhet të përfundojnë brenda 5 muajve.
M.B.





