Ndodhemi në lagjen nr.15, në akset “Rexhep Mezini” dhe “Georg Han”. Në infrastrukturën rrugore nuk është ndërhyrë prej rreth 2 dekadash. Për banorët e zonës, një pjesë autoktonë dhe një pjesë të ardhur në 30 vitet e fundit, makthi nis sapo vënë këmbën jashtë shtëpisë.

“18 vite po bëjmë këtu, asnjëherë nuk kam parë investime. Nuk kalojnë dot as fëmijët, as pensionistët kur ka reshje. S’kemi nga të kalojmë, rrugët përmbyten nga uji”.

“Në kohë me reshje kalojmë vetëm me çizme, sepse bllokohet e gjithë rruga”.

“Mendimi im është të hapet plastika e Durrësit për të prodhuar çizme. Ne erdhëm për një jetesë më të mirë, se po ta dinim si ishte këtu, nuk kishim ardhur kurrë”,- janë vetëm disa nga deklaratat e komunitetit të zonës për mikrofonin e “DurrësLajm”.

Por degradimi i rrugës, nuk është i vetmi shqetësim për këtë komunitet banorësh.

“Taksat i kërkojnë, nëse nuk i paguan vijnë të presin ujin. Ndriçimi është për faqe të zezë. Kanali për faqe të zezë. Unë kam 27 vite këtu, nuk është bërë asnjë investim”.

“Nga kanali nuk hapim dot dritaret prej mushkonjave. Ujërat e zeza janë të gjitha të hapura këtu.”

“Llampat e ndriçimit i vunë kur ishin zgjedhjet, por punuan vetëm pak. Jemi interesuar disa herë të vijnë t’i rregullojnë, por nuk çajnë kokën”.

Pagues të rregullt të taksave, qytetarët kërkojnë me ngulm që ato t’u përkthehen në shërbimet bazike si infrastruktura, ndriçimi dhe pastrim gjelbërimi.

“Të tëra taksat i paguajmë, nuk na është dhënë asnjë shërbim. Prandaj i bëjmë thirrje bashkisë hajdeni na e shtroni rrugën”.

“Të shtrohet rruga, të bëhen kanalizimet, të rregullohet ndriçimi. Të bëhemi dhe ne njerëz”,- deklarojnë banorët.

Janë mbi 200 familje që kanë ngritur shtëpitë e tyre përgjatë këtyre dy akseve dhe që presin prej vitesh që pushteti vendor të kujtohet për ta.

M.B.