DURRES– Reshjet e dendura të shiut që prej disa ditësh janë regjistruar në Durrës kanë riaktivizuar vatrat e erozionit, sidomos në zonën kodrinore të qytetit. Një ditë më parë Durreslajm.com pasqyroi përmes fotove situatën mjaft të rëndë të krijuar në Kodër Vilë, ku si pasojë e rrëshqitjes së dherave, dy shtëpi rrezikojnë të shemben.

Fatin e këtyre banesave po e përjetojnë edhe simotrat e tyre në lagjen nr.15 të qytetit. Si pasojë e rrëshqitjes së tokës rreth 60 shtëpi në zonën e Spitallës janë bërë të pabanueshme. Fotot e shkrepura sot dëshmojnë më së miri situatën mjaft të rëndë të krijuar aty. Mjaft shtëpi janë braktisur, pasi janë bërë të pabanueshme, ndërkohë që shumë të tjera rrezikojnë të pësojnë të njëjtin fat.  

Si pasojë e situatës së krijuar rrezikojnë të mbeten të pastrehë plot 156 familje. Shtëpitë e ndërtuara në këtë zonë janë ngritur pas viteve ’90 dhe nuk përfitojnë leje legalizimi, pasi specialistët e ALUIZNI-t kanë arritur në përfundimin se terreni i zonës në fjalë nuk garanton stabilitet dhe për këtë arsye fenomeni i erozionit do të vazhdojë.

Specialistët e Urbanistikës në bashkinë e Durrësit dhe Shtabi i Emergjencave Civile në prefekturë kanë deklaruar se këto shtëpi banimi janë bërë të papërdorshme dhe çdo përpjekje për të qëndruar brenda tyre vë në dyshim jetën e banorëve.

Nga dherat e shkëputura në faqja e kodrës është mbuluar tërësisht një plazh rreth 400-500 metra katrorë, që gjatë verës frekuentohej nga shumë qytetarë durrsakë dhe banorë të zonës. Madje dherat e kodrës kanë përfunduar deri në det.

Erozioni në këtë zonë ka nisur të bëhet një fenomen shqetësues për banorët që në vitin 2010. Moria e shtëpive të banimit të ngritura aty duket se e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën duke shkaktuar për pasojë përshpejtimin e rrëshqitjeve të tokës.

Specialistët pasi kanë studiuar strukturën e tokës në kodrën e Porto Romanos kanë bërë të ditur se edhe 60 banesa të tjera, mund të pësojnë të njëjtin fat, pasi toka nuk ka më asnjë lloj qëndrueshmërie. Krisjet e kodrës duken qartë në një hapësirë gjeografike prej më shumë se 500 metër gjatësi. 

Banesat në kodrën e Porto-Romanos janë ndërtuar pas viteve 90-të, nga banorë të ardhur kryesisht nga veriu i Shqipërisë. Më herët e gjithë sipërfaqja ku ata janë vendosur ka qenë tokë shtetërore e mbjellur me ullinj dhe rrush, të cilët janë prerë vitet e fundit duke favorizuar kështu edhe rrëshqitjen e tokës. Sipas gjeologëve kjo sipërfaqe toke nuk është e favorshme për ndërtim, ndërkohë që të gjitha banesat e ngritura në këtë zonë nuk janë bazuar mbi studimin gjeologjik të tokës. Specialistët shprehen  se e vetmja zgjidhje që kodra e Porto-Romano-s të mos përfundojë në det ashtu siç ka ndodhur vende-vende është  shembja e shtëpive dhe pyllëzimi i të gjithë sipërfaqes së kodrës, që nis nga pjesa jugore e qytetit të Durrësit deri në atë perëndimore.