Në datë 15 korrik të gjitha bizneset që kanë mbi 100 të punësuar duhet që të kenë ngritur strukturën që do të jetë përgjegjëse për përmbushjen e detyrimeve që vijnë nga ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.
Në një shkresë që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ka dërguar pranë kompanive që plotësojnë kriterin e numrit të të punësuarve vihet theksi tek zbatimi i kërkesave ligjore dhe ngarkimi me përgjegjësi administrative dhe penale në rast neglizhimi.
Procedura për ngritjen e strukturës
Por si po procedohet nga kompanitë për ngritjen e kësaj strukture? Si përzgjidhet stafi që do të jetë pjesë e njësisë përgjegjëse? Më poshtë do të japim modelin konkret nga një biznes që ka emëruar tashmë strukturën.
Së pari, nga ana e ortakut të kompanisë miratohet një vendim për ngritjen e strukturës së Njësisë Përgjegjëse si dhe rregulloret e brendshme që sanksionojnë përshtatjen me kërkesat që ka ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.
Pas kësaj, nga ana e administratorit bëhet emërimi i punonjësit të zgjedhur në njësinë përgjegjëse. Punonjësi në rastin konkret është përgjegjës departamenti.
“Ju bëjmë me dije se ju jeni i përzgjedhuri për ndjekjen e gjithë praktikave të dyshuara të korrupsionit për shoqërinë …. në përputhje me dispozitat e ligjit 60/2016”. Nëse jeni dakord me këtë përzgjedhje ju lutem vendosni nënshkrimin tuaj tek kjo shkresë dhe depozitoni një kopje origjinale pranë shoqërisë (X)” thuhet në kopjen e emërimit të përgjegjësit të njësisë.
Pas kësaj është në dorën e të emëruarit për të pranuar pozicionin ose për ta refuzuar atë. Referuar dokumenteve për rastin në fjalë punonjësi ka pranuar të jetë pjesë e njësisë duke deklaruar se “ Unë i nënshkruari (X) lindur në datë ( ) në Tiranë dhe banues në Tiranë, mbajtës i letërnjoftimit, madhor dhe me zotësi të plotë për të vepruar e punuar në pozicionin e Drejtuesit të Departamentit pranë (X) shoqërie themeluar sipas ligjit shqiptar dhe regjistruar pranë Regjistrit Tregtar shqiptar mbajtur nga Qendra Kombëtare e Biznesit me seli në Rrugën …Tiranë. Pasi mora dijeni për përzgjedhjen në njësinë përgjegjëse për ndjekjen e procesit të praktikave të dyshuara të korrupsionit për shoqërinë (X) në përputhje me dispozitat e ligjit 60/2016. Nëpërmjet kësaj shkrese deklaroj se e pranoj në njohje të plotë të detyrave që duhet të përmbush për pozicionin që më keni caktuar”
Pasi merret miratimi edhe nga personi i emëruar atëherë biznesi vë në dijeni Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave. Bashkëngjitur dokumentit të urdhrit për ngritjen e strukturës, emërimit të personit përgjegjës dhe pranimit të detyrës së caktuar nga punonjësi vendosen edhe gjeneralitetet e tjera që kanë të bëjnë me personin e strukturës së “spiunazhit”. Kjo strukturë duhet të ketë të paktën një person.
Qëllimi i strukturës sipas ligjit
Qëllimi i këtij ligji është marrja e informacioneve dhe sinjalizimeve nga sinjalizuesit, njësia përgjegjëse ose e drejtpërdrejtë nga ILDKPKI për rastet e veprave penale të korrupsionit, çdo veprimi ose mosveprimi të kundërligjshëm sipas legjislacionit penal në fuqi, në lidhje me çdo formë të korrupsionit aktiv, korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës ose kompetencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit, përfitimit të paligjshëm të interesave si dhe çdo akt tjetër të ngjashëm me to të kryer në subjektin tuaj nga pronarët, administratorët, drejtuesit dhe cilido tjetër, hetimin e këtyre rasteve nga ILDKPKI dhe përcjelljen e tyre organit të Prokurorisë dhe Policisë kur gjenden elementë të veprave penale të mësipërme. /Monitor/