Të paktën një prej të arrestuarve për tentativën për të hyrë në Uzinën ushtarake të Gramshit, besohet të jetë një eksploratore e njohur urbane nga Moska.

Bëhet fjalë për 33-vjeçarem Svetlana Timofeeva, shtetase ruse e cila prej më shumë se 10 vitesh eksploron dhe fotografon ndërtesa, uzina dhe fabrika të braktisura në shtete të ndryshme të botës, kryesisht në ato të ish-Bashkimit Sovjetik.

Timofeeva, e cila në rrjetet sociale përdor emrin Lana Sator rezulton se ka qenë në Shqipëri ditët e fundit, e shoqëruar nga dy djem, njëri prej të cilëve mendohet se është shetas ukrainas.

Treshja që u përlesh me dy ushtarakët roje të Uzinës së Gramshit, kishin dokumentuar udhëtimin e tyre në rrjetet sociale, kryesisht në Instagram.

Një tjetër detaj i fortë që i lidh të tre, me identitetet e personave të arrestuar nga policia, është makina tip “Chevrolet”, të cilën ata gjithashtu e kanë postuar në rrjetet sociale.

Disa persona që e njohin atë personalisht, shprehen se Timofeeva nuk e përdor profesionin e fotografit për të mbuluar qëllimet e vërteta të spiunazhit.

Sipas tyre ajo ka mbi 15 vite që eksploron zona të ndaluara në mbarë botën dhe së fundmi ka shprehur edhe pikëpamjet e saj kundër pushtimit të Ukrainës, çka ka sjellë ndarjen e saj nga i dashuri, një mbështetës i flaktë i “operacionit special” të Putinit, i cili rezulton të jetë arrestuar nga policia në Egjipt një vit më parë teksa eksploronte së bashku me 33-vjeçaren

Svetlana Timofeeva është pyetur shpesh herë në rrjetet sociale lidhur me udhëtimet e saj të rrezikshme dhe pasionin për të fotografuar, por në një postim ka thënë se “nuk financohet nga asnjë shërbim sekret”.

Kjo është hera e dytë që treshja e turistëve vizitojnë vendin tonë. Edhe një vit më parë, me të njëjtën makinë ata erdhën në Shqipëri dhe vizituan disa prej bazave ushtarake të braktisura.

Urban explorer, apo Urbex, janë eksploruesit e zonave urbane kryesisht ndërtesa të braktisura, të cilët shpesh herë marrin riskun të hyjnë edhe në zona të ndaluara.

Sipas informacionit të policisë së Elbasanit, Svetlana Timofeeva qëndronte jashtë rrethimit të fabrikës me një djalë tjetër, ndërsa shtetasi me pasaportë ukrainase dyshohet se u përlesh me ushtarët, të cilëve u hodhi spraj paralizues në fytyrë.

Megjithatë shumë detaje mbeten të paqarta në këtë ngjarje, si pajisjet e dyshuara të spiunazhit të raportuara se iu kapën tre të rinjve, apo përleshja e tyre me ushtarët shqiptarë. Tashmë anti-terrori shqiptar dhe prokuroria kanë marrë në dorë çështejn dhe pritet të hedhin më tepër dritë.