Debutimi i skuadrës së Goga Basket për meshkuj në kampionatin e basketbollit ka qenë pozitiv, pasi durrsakët kanë mundur me lehtësi 102-52 Skënderbeut, takim i vlefshëm për javën e parë të Kategorisë së Parë.

Ndeshja është luajtur në sallën B të pallatit të sportit "Dhimitraq Goga", dhe Goga Basket nuk ka hasur probleme për të mposhtur miqtë nga Korça, që për asnjë moment nuk kanë rivalizuar. Avantazhi 30-9 që bregdetarët krijuan që në periodën e parë praktikisht vulosi fitoren, ndërsa tri periodat e tjera ishin thjesht një formalitet.

Për pasojë, Goga Basket merr dy pikët e para në kampionat dhe kryesimin e Kategorisë së Parë, bashkë me Flamurtarin, që dje mundi Elbasanin.