Mbrojtësi Rustem Hoxha beson se Teuta do të marrë pjesë në Kupat e Europës edhe pas një viti. Ai thekson se Teuta nuk është një skuadër që bën premtime të mëdha, por në fund realizon synimet e vendosura.

Ajo që ndodhi edicionin e fundit do tentohet të përsëritet. Lojtari flet dhe për eliminimin nga Europa nga Ventspils dhe e konsideron si të pafat skuadrën durrsake në dy ndeshjet ndaj letonezëve. 

Rustem, ju vjen keq për mënyrën si u eliminuat nga Europa? 

Është për të ardhur keq. Skuadra duhet përgëzuar. Bëri futboll. Ky ishte fati ynë. Po nuk shënove, nuk mund të bësh dot sukses. Duhet të pranojmë verdiktin. Nuk shfrytëzuam rastet e krijuara, ku dhamë maksimumin dhe bëmë gjithçka që ishte e mundur, por ja që ndonjëherë edhe fati nuk është me ne. Në futboll duhet edhe fati. Them që largohemi me kokën lart nga Liga e Europës, sepse vërtet kemi prodhuar dhe bërë lojë, por futbolli i ka këto. 

Rastet e humbura në të dyja ndeshjet dhe golat e pësuar vendosën… 

Ende nuk e di si i pësuam ata gola në takimin e parë. Por, në futboll ndodh që dhe kur luan mirë, ndëshkohesh pa meritë. Por, gjithë ajo djersë dhe mund na shkoi dëm. Patëm shumë raste në të dyja ndeshjet, bëmë volum. Duhej t’i zgjidhnim me kujdes. Nëse do shkonte ndeshja 2-0, do kishte një rrjedhë tjetër takimi. 

Në 180 minuta keni qenë më lart se kundërshtari. Çfarë i mungoi Teutës për ta kaluar këtë tur? 

Zhvilluam një fazë përgatitore intensive dhe e kishim parë kundërshtarin në disa ndeshje. Të vjen keq kur krijon shumë dhe nuk shënon, pasi te Teuta nuk mungojnë cilësitë. Një gjë të tillë e kemi treguar edhe në këto dy ndeshje që luajtëm ndaj Ventspils. Vërtet jemi skualifikuar, por kemi krijuar shumë raste për shënim, në një ndeshje të cilën e kishim marrë shumë seriozisht të gjithë, pavarësisht se kishim dhe fatin kundër. Mendoj se në vijim duhet të finalizojmë më shumë raste që na jepen. 

Disa ditë pushim dhe më pas do ktheheni në fushë për sezonin e ri. Çfarë objektivi ka Teuta? 

Në ditët e mbetura deri në fillimin e kampionatit do të vazhdojmë të stërvitemi fort për të qenë gati për nisjen e sezonit të ri. Deri më tani ekipi u është përgjigjur më së miri kërkesave të trajnerit, çka na jep besim se fillimi i kampionatit do të jetë pozitiv për Teutën. Sa i përket sezonit të ardhshëm, objektivi i Teutës do të jetë renditja në vendet e para të klasifikimit për të siguruar pjesëmarrjen në Europë, siç ndodhi sezonin e kaluar. Teuta ka ndërtuar një skuadër me lojtarë të rinj, të cilët japin garanci. Nuk jemi ekip që bëjmë premtime, pasi detyra jonë është të flasim në fushë dhe t’i realizojmë synimet që na vendos klubi. 

Në aspektin personal çfarë synimesh keni me Teutën? 

Normalisht që synimi imë është të fitoj një trofe me Teutën. Shpresoj të bëj ndeshje sa më të mira me skuadrën dhe të rikthehemi më të fortë se një sezon më parë.