Tefik Osmani është mbrojtësi më i ri i Teutës. Pas një telenovele të gjatë me emra ekipesh, Osmani ka zgjedhur të rikthehet te Teuta. Bledi Shkëmbi konfirmoi gjithçka. “Pas marrëveshjes së arritur me presidentin, Osmani është tashmë një lojtar i Teutës.”, ishte komenti i trajnerit. Ish-lojtari i Skënderbeut u zyrtarizua nga klubi bregdetar edhe nëpërmjet faqes zyrtare në “Facebook”.
Me afrimin e Osmanit, bregdetarët kompletojnë repartin e mbrojtjes, pasi në zemër të repartit difensiv do të luajnë Bicaj-Osmani, por gjithashtu korçari mund të luajë edhe në mesfushë përpara mbrojtjes, rol të cilin e ka bërë në vitin e fundit te Skënderbeu.
Rikthimi i tij në Durrës është një vlerë e shtuar për stafin teknik, pasi korçari ka një eksperiencë të madhe, atë që Teuta ka më shumë nevojë në këtë sezon, për shkak se pjesa më e madhe e afrimeve është në një moshë të re. 33-vjeçari e njeh mjaft mirë ambientin në Durrës, pasi ka qenë pjesë e bregdetarëve në sezonet 2011-2012 kur luftonin për titullin kampion me Skënderbeun dhe në sezonin 2013–2014 përpara se të bashkohej me kampionët në fuqi të vendit. 33-vjeçari ka një karrierë të pasur në Shqipëri duke luajtur për skuadrat më të mira si: Skënderbeu, Elbasani, Partizani, Tirana, Teuta, Vllaznia apo edhe Tomorri.
Afrimi i tij në Durrës, tregon qartë se Bledi Shkëmbi po ndërton një projekt ambicioz ku pjesëmarrja në kompeticionet evropiane është objektivi më minimal për këtë sezon duke parë afrimet që janë bërë në skuadër gjatë kësaj periudhe. Gjithsesi skuadra do të ishte e kompletuar në çdo rol në rast se bregdetarët nënshkruajnë edhe me një sulmues tjetër, pasi deri tani kanë nënshkruar vetëm me Camara, ndërsa kanë qëndruar Latif dhe Peqini.