· “Sherri” im me një gazetar, ish-gjyqtar futbolli, për atleten më famë botërore Mirela Manjani
NGA THANAS MUSTAQI
I jap të drejtë Besnik Dizdarit, i cili është një nga “papët” e gazetarisë shqiptare dhe në veçanti të asaj sportive. Në një koment në të përditshmen “Panorama” të 16 gushtit 2015, Dizdari kërkon pasqyrimin e veprimtarisë sportive, jo thjesht të futbollit, kur në RTSH tirren orë të tëra për skuadra, tifozë të të cilëve janë të ftuarit. Nëse në gazetat sportive dhe televizione që janë private është normale të merren vetëm me futbollin si industri e biznes, RTSH-ja nuk e ka këtë pengesë nga pikëpamja ligjore. Përkundrazi detyrohet të pasqyrojë qoftë në rubrika të posaçme, qoftë në emisionet e lajmeve edhe arritje apo problemet në atletikë (ka gjithë ato disiplina), basketboll, volejboll, pingpong, mundje, peshëngritje, not, gjimnastikë, qitje, çiklizëm, shah, ski, bilardo etj. Por ka një koncept njëanshëm tek disa gazetarë të rinj apo të vjetër.
Po kujtoj një “incident” të vogël me një ish-gjyqtar futbolli që mbulonte në vitet ‘90 sektorin e sportit në një të përditshme. Kisha përgatitur një fotoreportazh mbi “ndarjen” midis Mirela Manjanit (atëherë sapo ishte shpallur nënkampione e Evropës në hedhje shtize) dhe trajnerit të saj, të mirënjohurit Petrit Kërtusha. Redaktori, i dashuruar pas futbollit, me njohje të cekët të disiplinave sportive, nuk e quante të rëndësishëm këtë fakt, në kohën që Manjani po tërhiqte vëmendjen e medieve ndërkombëtare. Bëmë debat. I thashë se unë jam vërtet “elifimatrak” në sport përballë tij.
Por matematikën ma jepte mjeshtri i merituar i sportit, Nderi i Sportit Shqiptar, Qytetar Nderi dhe Nderi i Qytetit të Durrësit Dhimtraq Goga, trajner i të rinjve të ish-“Lokomotivës” mbi 10 vjet rresht kampion; fizkulturën na i jepnin eksperti i madh i basketbollit Milorad Jeremiqi, kampioni i 110 metrave me pengesa dhe trajneri Idriz Çinari. Në klasë kisha disa nga basketbollistë të famshëm si Niko Profkola, Shpëtim Prodani (në paralele), Vladimir Agaraj, Qemal Kërtusha (jo këngëtari), Pavli Jorgoni, të cilët i ndiqnim qysh në klasën e 7-të në ndeshje në parkun sportiv. Po në klasë kisha një gjimnaste, Lumturi Boshaj. Më e veçanta kishte të bënte me bashkënxënësen, një nga motrat e boksierit që vdiq në ring, gjë që shërbeu si vjegë për të ndaluar këtë sport (më vonë jam njohur me legjenda të boksit shqiptar, durrsakët Ymer Reçi e Selim Bardheti. Kam pasur fatin që në parkun sportiv deri para vititit 1963 të shihja ndeshje boksi dhe turne ndërkombëtare). Po ashtu në klasë kam pasur edhe Niko Pemën, notar dhe volejbollist. Një shoqe, që vdiq nga një sëmundje e rëndë, ishte qitëse e “Lokomotivës”.
Kam miqësi me Mjeshtrin Ndërkombëtar të Shahut, 8 herë kampion kombëtar Fatos Muço, si dhe kampionë të tjerë Harallamb Boshku, Llambi Qëndro, Lorenc Rama etj; rekordmenin e hedhjes së gjyles, Mjeshtër i merituar, Nderi i Sportit Shqiptar Rifat / Rauf / Ruf Kazazi; kampionët e notit Meriban Kadiu, Hysen Haxhia, Shyqyri Gjepali, ish-kryetarin e Federatës së Notit, gazetar sportiv, përkthyes e poliglot Feim Alliu etj; kampionët kombëtarë në pingpong Diktere Mustafaraj (femra) dhe Flamur Bako; kam njohur peshëngritësin rekordemen Ervin Nikolla. Në volejboll kam njohur dhe punuar me “steka” të tilla Napolon Llalla, Lluka Prifti, Spiro Urumi, Met Kthupi, Daniel Prifti. Po të duash dhe nga futbolli kam miq: Sulë Maliqatin, Mir Himën, Maksut Leshtenin, Naim Dollakun, Artur Lekbellon…
Këto gjëra po mundohesha t’i ngulisja në kokë ish-gjyqtarit të futbollit. Meqë nuk dëgjoj aq mirë, kam zërin e lartë dhe dukej se bërtisja i nervozuar. I thashë se këto figura më kanë bërë kronist sportiv dhe të vlerësoj si scoop çdo ngjarje të çdolloj sporti.
Me sa duket, botuesi, një gazetar elitar, dëgjoi gjithë monologun time dhe diatribën. I tha redaktorit se kisha të drejtë. Vetë botuesi i mori të 24 fotografitë me ngjarjen Manjani-Kërtusha, të shoqëruara me diçiturat. Të nesërmen, e përditshmja me 8 faqe “çarçaf” (formati më i madh, dyfishi i atyre të sotme), i botoi si scoop në një faqe të tërë.
Prandaj i jap të drejtë Besnik Dizdarit. Televizioni Publik mbahet me taksat edhe të jo-tifozëve të futbollit. Nuk është normale të transmetosh orë të tëra veprimtari ndërkombëtare në atletikë, ski, not etj. dhe të mos bësh dot një lajm për veprimtaritë kombëtare apo ndërkombëtare në Shqipëri, pavarësisht se ku zhvillohen: në Tiranë apo Korçë, Durrës apo Shkodër, Peshkopi apo Vlorë. Dikur, para viteve 90, në të vetmin televizion në Shqipëri, me orar më të kufizuar, kur kishte kampionate shahu, fjala vjen, çdo mbrëmje komentohej një ndeshje nga Mendim Veizaj etj…