Objektivi u arrit në mënyrën më të mirë për Interin katër javë para fundit të kampionatit. 11 vite kishin kaluar që kur zikaltrit shijonin titullin në Itali. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se kampionët e rinj do ta ulin tempin dhe do të nisin pushimet e parakohshme.Dhe pse sigurisht nuk do të jetë më ai presion i madh për të arritur tek ëndrra e më shumë se një dekade. Ajo që askush nuk mund të dyshojë, është te motivimi që trajneri Antonio Konte i bën skuadrës para çdo ndeshjeje.

Deri në sekondat e fundit të ndeshjes, është Konte ai që vetëm ulëret drejt çdo lojtarit, ndjek lojën sikur të ishte vetë në fushë. Gjithsesi, në javët që mbeten nuk ka asnjë rekord për të thyer apo për të arritur.Por, skuadra e Interit kërkon ta mbyllë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, ndoshta për të ndihmuar Lukakun që të mbajë gjallë shpresat për t’u kurorëzuar si golashënuesi më i mirë i Serisë A. Edhe pse kjo duket e vështirë, pasi Ronaldo kryeson me gjashtë gola me shumë se belgu.

Me kalendarin në dorë, Konte ka qarkuar me një rreth të kuq datën kur Interi do të luajë në Torino ndaj Juventusit ndeshjen e kthimit. Për Konten, kjo është ndeshja që duhet fituar me patjetër për t’i dhënë një kuptim më të bukur fitimit të titullit të siguruar javën e kaluar. Zikaltrit do zbresin në fushë si kampionët e rinj, pikërisht në fushën e atyre që kanë mbretëruar për 9 sezone radhazi. Ishte pikërisht, ai Antonio Konte që zbriti nga froni ish-skuadrën e tij.

Motivimi është ende më i madh për të dhe këtë kërkon t’ia transmetojë edhe skuadrës së tij. Ndaj Sampdorias dhe Romës, Konte pritet të lërë pushim disa nga titullarët për t’i aktivizuar më pas ndaj Juventusit që është ende duke luftuar për një vend në Champions dhe për të shpëtuar një sezon deri diku të dështuar duke parë edhe objektivat që klubi bardhezi kishte në fillim të sezonit.