Ledio Beqja ka premtuar se Teuta do të rikthehet sezonin e ardhshëm edhe më e fortë, pasi këtë sezon Teuta nuk arrit të fitonte asgjë, por as Europën s’e arriti dot. Beqja shprehet se ky ishte një sezon për t’u harruar dhe tashmë synimet janë për të ringritur dhe të arrin sërish te trofetë.

Sa keqardhje keni që nuk arritët asnjë objektiv në këtë fund sezoni?

Ne do të rikthehemi, jam i sigurt për këtë. Do të rikthehemi edhe më të fortë. Sigurisht, ne nuk dëshironim që të ndodhte diçka e tillë edhe për ne lojtarët ka qenë shumë e vështirë ta mbyllesh sezonin pa asnjë trofe dhe mos të arrinim në Europë, por dua të them që kemi qenë dhe të pafat në disa ndeshje, por rendësi ka që ekipi shmangu “play out”-in.

Gjatë kësaj periudhe do të jeni në pushim absolut, do të punoni individualisht?

Natyrisht që do qëndroj pushim për një periudhë të caktuar, pasi është e nevojshme, por stërvitjen nuk do e lë dhe do të vazhdoj me ritme të larta për të qenë gati kur të fillojmë me ekipin.

Si e shihni skuadrën në sezonin e ri?

Teuta me mbështetjen e drejtuesve ia ka dalë të fitojë të gjithë trofetë në vite dhe do të rikthehet sërish të jetë aty. Jam i kënaqur me ambientin në klub, qytetin dhe gjithashtu shokët e ekipit. Normalisht që synimet e Teutës janë të jetë sa më lart. Dihet që klubi synon gjithmonë majat dhe objektivi do të jetë që të jemi sa më lart.

Një sezon i mirë dhe për ju në aspektin personal, si e sheh të ardhmen?

Unë jam në kontratë me Teutën dhe do të jem bashkë me ekipin në këtë sezon për të tentuar të bëjmë mirë. Shpresoj që të bëhet një punë e mirë për ndërtimin e skuadrës dhe të kemi mundësi të ndërtojmë një grup konkurrues. Kategoria Superiore këtë sezon do të jetë shumë e vështirë, pasi ka emra të mëdhenj ekipesh.Do të tentojmë maksimumin. Besoj që ka qenë sezoni i mirë për mua, por tanimë me një ecuri të mirë rikuperuese për sezonin e ri do të jem pranë ekipit për të dhënë kontributin tim.

Çfarë u premtoni tifozëve durrsakë?

Nuk jam një lojtar që bëj premtime para kohe. Premtimi im i vetëm është që do të jap më të mirën, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Të tjerat do t’ia lë fushës dhe uroj të më vlerësojnë të tjerët për atë çfarë do të jap.