Më 13 prill nisi muaji i madhërishëm i Ramazanit që do të mbyllet më 12 maj. Përkushtimi ndaj Zotit i obligon besimtarët myslimanë që të mos konsumojnë asgjë nga agimi deri në perëndim. Mungesa e ushqimit dhe dehidratimi mund të kushtëzojnë në mënyrë vendimtare sportistët, sidomos ata të sporteve në grup.

Nëse për “solistët” do të ishte më e lehtë pasi mund të spostojnë stërvitjet pas iftarit, për ata që zhvillojnë sporte ekipore, gjithçka ndërlikohet. Vështirësia prek përditshmërinë, por sidomos ditët e ndeshjeve e megjithatë duke qenë një muaj i shenjtë, shumë lojtarë nuk do ta shmangin detyrimin e tyre ndaj besimit.

Agjërimi i zgjatur në harkun kohor të të gjithë ditës mund të shkaktojë rënie energjike çka mund të sjellë mungesë përqendrimi e për pasojë edhe dëmtime. Agjërimi i Ramazanit, shpesh, ndjek logjikë individuale pasi ka atletë që e zbatojnë me përpikmëri e të tjerë e shlyejnë detyrimin e tyre në një periudhë tjetër të vitit. Ka edhe nga ata që “vetëpërjashtohen” vetëm ditën e ndeshjes. Duke qëndruar në Serinë A, Milani është skuadra me më shumë besimtarë të fesë myslimane. Frenk Kesi, Benaser dhe Çalhanoglu janë përfaqësuesit kuqezinj që nuk duket se do të heqin dorë nga agjërimi.

Prova e forcës për këta lojtarë do të jetë të dielën kur në 12:30 do të duhet të jenë në fushë kundër Xhenoas. Nuk do të jetë e thjeshtë për ata e as për Piolin, megjithatë orari i paradites i lehtëson, nëse i krahasojmë me kolegët e ekipeve të tjera. Bolonja gjithashtu ka tre myslimanë në organikë, por nëse Juvara e nis nga stoli, Mbaje e Borrou janë titullarë. Fiorentina mbyll podiumin e agjëruesve me Amrabat e Riberi si përfaqësues, ndërkohë që Interi me Hakimin, Juvja me Demiralin apo Sampdoria me Kolejn janë ekipet e tjera.

Në Lojërat Olimpike të 2012-ës në Londër, në Botërorin e 2014-ës apo në Europianin e 2016-ës ka pasur lojtarë myslimanë që kanë ndjekur agjërimin pa hequr dorë nga kompeticionet në fjalë, por ka pasur edhe si Mesut Ozil që në 2014-ën e shtyu detyrimin e tij ndaj besimit.

Në 1995 Hakim Olazhuon ruajti mesataren e 30 pikëve për ndeshje në NBA gjatë muajit të Ramazanit, ndërkohë që në 2019-ën Mane e Salah të Liverpulit dhe Sisoko i Totenhemit rrezikuan të mos kishin një formë optimale në ndeshjen me të rëndësishme të sezonit ku nuk e respektuan agjërimin. Në fakt, treshja në fjalë vendosi ndeshjen pasi Mane krosoi, Sisoko e preku topin me dorë në zonën e tij duke shkaktuar penalltinë që Salah e shndërroi në gol.