Qytetarët e Durrësit, por edhe ata që jetojnë jashtë vendit dhe kthehen gjatë verës, do të kenë në dispozicion asistencë për përdorimin e platformës digjitale e-Albania në sportelet e Bashkisë Durrës dhe të njësive administrative.

Në një njoftim të shpërndarë në rrjetet sociale, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, bëri me dije se pranë zyrave të marrëdhënieve me publikun janë vendosur sportele të posaçme ndihmëse për të lehtësuar aksesin në shërbimet online.

“Në sportelet e zyrës për marrëdhëniet me publikun në Bashkinë Durrës dhe në të gjitha zyrat e njësive administrative ka sportele shërbimi për qytetarët që kanë nevojë për asistencë për aplikime të ndryshme në portalin e-Albania. 📑
Gjithashtu njoftojmë edhe të gjitha ata qytetarë që jetojnë jashtë vendit por gjatë periudhës së verës vijnë në Durrës se do të gjejnë asistencë për shërbimet që ofron e-Albania në sportelet tona të bashkisë dhe njësive administrative. Punonjësit tanë në këto sportele janë në dispozicion për çdo nevojë që lidhet me përdorimin e kësaj platforme.
Shërbimi ofrohet për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për ndihmë në përdorimin e platformës digjitale.”, shkruan Sako.