Gjatës ditës së hënë, AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) ka informuar të gjitha subjektet e regjistruara si portale online se duhet të publikojnë brenda 72 orësh NIPT (NUIS) përkatës në seksionin kontakt të faqes së tyre online.
Në listën e AKEP-it ishte përfshirë edhe portali “DurrësLajm” (www.durreslajm.al), ku kërkohej publikimi i NIPT-it përkatës në seksionin KONTAKT, pasi portali ynë rezulton i regjistruar në QKR si media online, ka NIPT, është taksapagues i rregullt dhe respekton në tërësi ligjet fiskale të vendit.
AKEP, në një njoftim të dytë, sqaroi se: “ka konstatuar se pjesa kryesore e zotëruesve të domaineve ka reaguar pozitivisht dhe po përditëson informacionin e kërkuar në faqet e tyre në internet dhe në faqen e AKEP”.
“Nga analiza e problematikës së shfaqur rezulton se një pjesë e domaineve nuk janë të regjistruar në emrin e përdoruesit po janë regjistruar në emër të Regjistruesve të licensuar nga AKEP, individë etj”.
AKEP ka konstatuar se një pjesë e subjekteve kishin NIPT (ashtu si dhe portali “DurrësLajm”, por që u përfshi nxitimthi në listë, pa u njoftuar paraprakisht me një e-mail zyrtar nga ana e institucionit në fjalë). Por sipas AKEP-it, nuk e kishin publikuar në faqen e tyre të internetit dhe nuk e kishin përditësuar në AKEP sipas rregullores së domaineve dhe për këtë arsye kanë përditësuar të dhënat për NIPT dhe disa zotërues të tjerë domainesh po vazhdojnë me përditësimin e informacionit.
AKEP nxitoi të përfshinte në listë portalin “DurrësLajm” ashtu si dhe disa portale të tjera, duke publikuar fillimisht listën online, e duke na njoftuar zyrtarisht vetëm pasi lista e mediave online qarkulloi në të gjithë rrjetin.
AKEP e mbyll njoftimin e saj se “do të monitorojë të gjithë zotëruesit dhe përdoruesit e domaineve që të jenë të paisur me NIPT dhe ta kenë të publikuar në faqet e internetit”.
(Portali durreslajm.al, është i regjistruar në QKR me emër subjekti “Dyrrah Media Group”, me NIPT/ NUIS: L61706510P)





