Procesi i shpërndarjes së ndihmave në Durrës nuk do të vazhdojë më. Burime zyrtare nga Bashkia e Durrësit bënë me dije për “DurrësLajm” se ky proces do të ndërpritet, ndërsa ka mbetur për t’u pastruar edhe shkolla “Leonik Tomeu”, si një ndër pikat që shërbeu për magazinimin e ndihmave.
Për të gjithë banorët që janë prekur nga tërmeti, banesat e të cilëve janë dëmtuar dhe janë shpallur të pabanueshme, duhet të paraqiten pranë Bashkisë së Durrësit për të marrë letrën e shprënguljes drejt hotelit apo orientimin përkatës se ku do të strehohen.
Këta banorë, në momentin që do të paraqiten në bashki, duhet të kenë me vete edhe letrën e dhënë nga njësia administrative përkatëse, që vërteton se banesa e tyre është shpallur e pabanueshme. Sakaq, lidhur me shpërndarjen e ndihmave ushqimore për personat që mund të jenë strehuar tek të afërmit, do të marrin direktivat përkatëse pranë bashkisë. Ndërsa personat që janë akomoduar në hotele apo të tjerët që priten të akomodohen dhe do të qëndrojnë aty, nuk është e nevojshme marrja e ndihmave ushqimore pasi i kanë të gjitha të gatshme në hotel: strehim plus ushqim.
Kjo do të shërbejë vetëm për banorët që janë të prekur nga tërmeti, të gjithë të tjerët do t’i kthehen normalitetit, theksuan të njëjtat burime pranë bashkisë.
Lidhur me strehimin e njerëzve që kanë mbetur pa banesa, është duke u diskutuar edhe një projekt risi, që një zgjidhje mund të jenë edhe shtëpitë-kontejner. Ky opsion ka lindur si ide, pasi sistemimi i banorëve në banesa me qira nuk është i mundur për shkak të kapaciteteve të ulëta që ka Durrësi. Edhe sistemimi nëpër hotele nuk mund të jetë për një kohë afatgjatë deri në përfundim të procesit të rindërtimit (çka pritet të zgjasë), pasi maksimumi i qëndrimit në hotele do të jetë deri në muajin prill, para fillimit të sezonit turistik.





