Sri Lanka ka vendosur që çdo e mërkurë të jetë ditë pushimi për institucionet publike, në përpjekje për të kursyer karburant, teksa vendi përballet me mungesa të mundshme pas luftës së SHBA-ve dhe Izraelit me Iranin.
“Duhet të përgatitemi për më të keqen, por të shpresojmë për më të mirën,” tha presidenti Anura Kumara Dissanayake në një takim urgjent me zyrtarë të lartë, citon BBC.
Kjo është masa më e fundit në një seri shtrëngimesh që vendet aziatike kanë ndërmarrë që kur lufta bllokoi Ngushticën e Hormuzit, e cila më parë transportonte miliona fuçi naftë nga Gjiri drejt rajonit.
Gati 90% e gjithë naftës dhe gazit që kaloi përmes kësaj ngushtice vitin e kaluar ishte i destinuar për Azinë, që është rajoni më i madh importues i naftës në botë.
Çfarë po bëjnë vendet e tjera aziatike?
Në Tajlandë: Qeveria u kërkon qytetarëve të zëvendësojnë kostumet me bluza me mëngë të shkurtra për të ulur përdorimin e kondicionerëve.
Në Mianmar: Automjetet private lejohen të qarkullojnë vetëm në ditë të caktuara, sipas numrit të targës.
Në Bangladesh: Universitetet kanë sjellë më përpara pushimet e Ramazanit dhe kanë vendosur ndërprerje të planifikuara të energjisë.
Në Filipine: Disa zyra qeveritare kanë kaluar në punë nga shtëpia një ditë në javë. Presidenti Marcos ka ndaluar udhëtimet jo të domosdoshme dhe ka shpallur ndihma financiare për drejtuesit e triçikleve, fermerët dhe peshkatarët.
Në Vietnam: Qeveria nxit qytetarët të qëndrojnë më shumë në shtëpi, të përdorin biçikleta, transport publik dhe të kufizojnë përdorimin e makinave private.
Çfarë tjetër po bën Sri Lanka?
Java e re katër-ditore do të zbatohet edhe për shkollat dhe universitetet, por jo për shërbimet thelbësore si shëndetësia dhe emigracioni.
Është zgjedhur e mërkura, për të shmangur mbylljen e zyrave për tre ditë rresht.
Shoferët duhet të regjistrohen për një “Kartë Kombëtare Karburanti” që kufizon sasinë e blerjeve: 15 litra për makinat private dhe 5 litra për motorët.
Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm që prej fillimit të bombardimeve ndaj Iranit muajin e kaluar, duke arritur rreth 100 dollarë për fuçi.





