19 qershor 2015 – Sezoni i kaluar përveç se ishte më i bukuri i viteve të fundit pritet të shërbejë edhe si një pikënisje për të ardhmen e klubeve shqiptare. Jo vetëm për ambiciet e tyre për sezonin e ri, por për të kuptuar më mirë politikën që duhet ndjekur.
Kryesorja në ndërtimin e një skuadre është stabiliteti, teksa shembulli më i mirë vjen nga Skënderbeu por edhe nga Laçi e Partizani.
5 herë kampionët radhazi kanë treguar se arma kryesore është grupi, duke ruajtur nga sezoni në sezon bazën e tij me ndryshime të vogla për të përmirësuar akoma më shumë skuadrën.
Shehi, Arapi dhe Shkëmbi janë 3 lojtarë të cilët janë në skuadër që nga titulli i parë, teksa një pjesë e mirë kanë fituar mbi tre tituj kampion. Trajneri Mirel Josa ka drejtuar skuadrën në 3 titujt kampion duke treguar se ruajtja e grupit por mbi të gjitha e qetësisë në momentet negative të sezonit është mënyra më e mirë për të dalë nga situata.
Në gjurmët e kampionëve është edhe fituesja e kupës Laçi, që ka ruajtur grupin e sezonit të kaluar por mbi të gjitha nuk ka humbur besimin tek trajneri Armando Cungu. Shkodrani mori mbështetjen e presidentit Laska edhe në momentin më të keq të sezonit të kaluar, në fazën e dytë ku rezultatet ishin me të vërtetë negative për këtë skuadër.
Synimi i titullit për sezonin e ri nga Partizani vjen për shkak të ruajtjes së grupit të futbollistëve, teksa largimet e Rrahmanit dhe Cuculit janë mbyllur me elementë cilësorë. Pavarësisht se largimi i ish-trajnerit Shpëtim Duro prish disi harmoninë, zgjedhja për t’i besuar Starovës ekipin mund të konsiderohet pozitive në aspketin e stabilitetit, pasi trajneri aktual e njeh mirë skuadrën duke qenë se sezonin e kaluar mbuloi rolin e drejtorit sportiv. Situatë jo të mirë po kalojnë dy pretendentet e tjera të sezonit të kaluar, Kukësi dhe Tirana. Nënkampionët janë për momentin pa trajner, por edhe me lojtarë të cilët mendojnë largimin, ndërsa te bardheblutë është ndryshuar trajneri, por pritet të ketë edhe ndryshime në strukturën e ekipit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/