Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i Shqipërisë (AKEP), ka hapur një stacion të ri fiks monitorimi në fshatin Pinet të ish-komunës së Ndroqit (tani bashkia e Tiranës), si një pikë tepër e rëndësishme për mbulimin e zonës rreth qytetit te Durrësit. Këtë fakt e raporton “Telecompaper”, kompani ndërkombëtare kërkimore dhe botuese, e fokusuar në industrinë e telekomunikacionit dhe e themeluar në vitin 2000, me seli në Houten të Holandës.

Stacioni i Pinetit ndërtohet në kuadër të implementimit të “Projektit për ngritjen e sistemit kombëtar të monitorimit të spektrit të frekuencave”, qëllimi i të cilit është të trajtojë karakteristikat thelbësore të teknikave dhe veprimtarisë së monitorimit të spektrit në një sistem të mundshëm kombëtar të Shqipërisë.

Studimi për sistemin kombëtar shqiptar të monitorimit të spektrit ka filluar nga një grup pune i AKEP-it në bashkëpunim me asistencën e ITU-së (International Telecommunication Union – Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve, agjenci e OKB-së) dhe material bazë në trajtimin e çështjeve ka shërbyer Manuali i Radiomonitorimit të ITU-së (Radiomonitoring Handbook).

Me përfundimin e ndërtimit të stacionit fiks të monitorimit në Pinet, mbyllet faza e parë e “Projektit për ngritjen e sistemit kombëtar të monitorimit të spektrit të frekuencave”, duke bërë të mundur, së bashku me stacionin fiks të monitorimit në Krujë, monitorimin 24 orë të brezit të frekuencave 20-3000 MHz, në një zonë 70 km rreth Tiranës dhe Durrësit, duke përfshirë dhe aeroportin ndërkombëtar në Rinas. Këto stacione do të kontrollohen në distancë nga Qendra Kryesore e Kontrollit (MCC), pjesë e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Frekuencave, në Tiranë.

INFO

Në datën 07.03.2014 në Gjenevë, në selinë e ITU-së, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të Dokumentit “Termat e referencës për ngritjen e një sistemi kombëtar monitorimi të spektrit të frekuencave për Shqipërinë. Dokumenti i hartuar me konsulencën e ekspertëve të ITU-së u dorëzua nga Brahima Sanou, drejtor i Telekommunication Development Bureau (BTD)-ITU. Me Vendimin e Këshillit Drejtues të AKEP Nr.2442 datë 10.04.2014, u miratua në parim dokumenti “Projekti për ngritjen e “Sistemit kombëtar të monitorimit të spektrit të frekuencave”. Qëllimi i këtij projekti është të trajtojë karakteristikat thelbësore të teknikave dhe veprimtarisë së monitorimit të spektrit në një sistem të mundshëm kombëtar të Shqipërisë.