Humbja e fundit kundër Kastriotit e ka trazuar situatën në kampin durrsak, pasi është shtuar presioni nga zona e rrezikut. Teuta, nga kampione nëse nuk tregohet e kujdesshme që nga ndeshja e kësaj jave në transfertë me Laçin, mund të përfshihet edhe nga lufta për mbijetesë.
Teuta që pozicionohet e gjashta në renditje me 28 pikë, ndodhet 5 pikë larg Dinamos së vendit të nëntë, pozicion që të zbret direkt në Kategorinë e Parë, si dhe ka 4 pikë më shumë se Egnatia e vendit të tetë, pozicion që në fund të sezonit të çon në ndeshje shtesë për të mbetur në elitë. Marrja në konsideratë e këtyre fakteve bën që Teuta të ndodhet para 11 finaleve në kampionat. Tashmë duhet menduar për minimumin, mbijetesën. Ndërsa Europën, si rrugë më të shkurtër mund të kenë Kupën. Të dielën Teuta është mysafire në Laç dhe kjo transfertë është kthyer në tabu për “djemtë e detit”.
Thuhet kështu pasi Teuta ka 63 muaj që nuk fiton në stadiumin e Laçit ndaj bardhezinjve. Për herë të fundit në Laç Teuta ka fituar më 22 dhjetor 2016, në shifrat 2-0, me dy gola të Andi Ribajt. Afro dy vite më vonë, durrsakët kanë arritur që të fitojnë 3-0 në transfertë ndaj kurbinasve, por kjo ndeshje nuk është zhvilluar në Laç po në fushën asnjanëse të “Elbasan Arenës”.
Pa llogaritur pozitat dhe ecurinë që kanë dy ekipet në këtë sezon, në lojë hyjnë edhe statistikat e mësipërme, që e bëjnë akoma më të vështirë misionin e të besuarve të trajnerit Renato Arapi në transfertën e Laçit. Pa dyshim, thyerja e këtij tersi do të ishte një shtysë e madhe dhe një rezultat me vlera për durrsakët për të fituar qetësinë e duhur për pjesën përmbyllëse të sezonit dhe largimin e ëndrrave të këqija.
Në përballjet e dy fazave të para Teuta njeh vetëm humbje me kurbinasit, ku në fazën e parë janë mundur 2-0 në Laç, ndërsa në fazën e dytë, ndonëse ishin pritës në Rrogozhinë u mundën në shifrat 4-2. Lajm i mirë për stafin teknik të durrsakëve në prag të kësaj sfide është rikuperimi i mbrojtësit Filip Ivanoviç, i cili mungon prej disa javësh. Mungesa e vetme te durrsakët për këtë ndeshje do të jetë ajo e mbrojtësit brazilian Xhekson Ferriera, i dëmtuar, dhe që për herë të fundit është aktivizuar më 7 dhjetor 2021 ndaj Dinamos, ku u zëvendësua në minutën e 74-t.