Projekti për ndërtimin e stadiumit të ri të Durrësit, i cili deri më tani thuhet se do të ndërtohet nga një investitor privat, parashikon prishjen e anekseve sportive rreth e qark tij.

Investitori privat, emri i të cili ende nuk është bërë publik, sugjeron ndërtimin e një stadiumi me kapacitet 12 mijë vendesh, ndërkohë që investimi do të realizohet me fondet e privatit. Stadiumi i ri parashikohet të ketë kapacitet më të madh sesa kompleksi sportiv aktual me 8500 ulëse.

Në këmbim investitori do të përfitojë truallin rreth stadiumit për të ndërtuar dy kullat në foto, njëra 125 metra dhe tjetra 155 metra e lartë.

“Në truallin ku do të ndërtohen dy kullat, ndodhen aktualisht dy fusha stërvitore, dy kalceto dhe dy fusha basketbolli, që sigurisht do të prishen për t’i lënë vendin dy kullave”,- shkruan Albania Team në postimin e bërë në rrjete sociale.

Në muajin shkurt të këtij viti, kryeministri Edi Rama hapi konkursin ndërkombëtar për ndërtimin e stadiumeve në qytetet e Vlorës, Durrësit dhe Korçës. Sipas Ramës, këto stadiume do të kthehen në qendra të reja qytetesh.

Aktualisht në fushat stërvitore rreth e qark stadiumit “Niko Dovana” stërviten shumë ekipe moshash, nga fëmijët më të mitur e deri tek ekipet e të rinjve.

Nëse projekti miratohet për t’u zbatuar siç është parashikuar nga instititori privat, me qindra nxënës në Durrës rrezikojnë të mbeten pa terrenet sportive, ku stërviten çdo ditë dhe ushtrojnë aktivitet fizik. Në këto ambiente sportive janë zhvilluar për shumë vite me radhë talentet e të ardhmes në sportin e futbollit. Shumë nga të rinjtë më të talentuar të ekipeve zinxhir i janë bashkuar ekipit të Teutës ndër vite.

Nga ana tjetër, ndërtimi i kullave shumëkatëshe 125 dhe 155 metra në lagjen nr.18 nuk duket se mund të jetë vendimi më i mirë i mundshëm.

Duke pasur parasysh se e gjithë lagjja në fjalë ishte ndër më të dëmtuarat nga lëkundja sizmike e 26 nëntorit 2019, projektet për ndërtime shumëkatëshe aty mund të rezultojnë të rrezikshme.

Projekti i paraqitur për stadiumin “Niko Dovana” ngjan me investimin e realizuar për stadiumin “Air Albania”, i cili u ndërtua aty ku më parë ishte impianti sportiv “Qemal Stafa”.    

Stadiumi “Air Albania” ka një kullë të gjatë 112 metra (24 kate), ndërkohë që nëse do të realizohet, stadiumi i Durrësit do të ketë dy të tilla, por me shumë më tepër kate.

M.B.