Përshëndetjet e të huajve në gjuhën shqipe në strukturat hoteliere apo njësitë e shërbimit në Durrës nuk janë më një fenomen shumë i pazakontë.
Vitet e fundit, në sektorin e turizmit, gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj po zëvendësojnë stafin shqiptar.
Dona është një 26-vjeçare nga Filipinet, që rreth 1 vit më parë erdhi të punonte pranë një hoteli në plazhin e Durrësit.
“Erdha për të punuar në Shqipëri 9 muaj më parë si kamariere. Më pëlqen shumë vendi juaj, më pëlqen kultura. Të gjithë njerëzit janë shumë miqësorë”.
Për operatorët turistikë shqiptarë punësimi i shtetasve të huaj, pavarësisht kostos pak më të lartë sesa stafit vendas, është një zgjidhje optimale.
“Momentalisht kam 8 punëtorë të huaj, kryesisht janë filipinas, por kam dhe nga Maroku e Bangladeshi. Kemi prej 3 vitesh që marrim punëtorë të huaj, kryesisht punojmë me filipinezë. Arsyeja është sepse korrektësia e tyre. Të nesërmen e dimë që nuk do të kemi surpriza, do t’i kemi apo jo punëtorët në punë, siç na ndodh rëndom me punëtorët shqiptarë”, – bën të ditur Emiljan Isai, administrator i një hoteli në plazhin e Durrësit.
Zgjatja e sezonit turistik në Durrës nga muaji mars-prill e deri në nëntor, e ka bërë edhe më të thjeshtë për operatorët turistikë ta mbajnë të punësuar përgjatë gjithë vitit stafin me punëtorë të huaj. Problemi i vetëm deri më tani duket se mbetet mësimi i gjuhës shqipe.
“E vetmja problematikë që unë shoh është gjuha, pasi për klientelën shqiptare, por edhe të huajt duhet të jetë autenticiteti apo ndjenja e shqiptarizmit, por në këto kushte do të bëjmë si do të bëjmë”,- deklaron Isai.
“Problem është t’i kuptosh klientët shqiptarë, sepse jo të gjithë flasin anglisht. Por unë po mësoj shqip dhe kam nisur t’i kuptoj”,- thotë Dona.
Sezoni turistik që po afron rrit kërkesën për punonjës. Michelle Pasaoa është nga Filipinet dhe ka ardhur në Shqipëri 4 vite më parë. Ajo punon në një agjenci që sjell punonjës nga vendi aziatik në Shqipëri dhe shpreson që në të ardhmen të marrë pasaportën shqiptare.
“Eksperienca ime me vendin tuaj është shumë e mirë. Ndodhem prej 4 vitesh këtu. Jeni njerëz shumë të mirë, ndërkohë që kostoja e jetesës këtu tek ju është shumë e përballueshme. Unë po planifikoj të qëndroj këtu, madje të marr edhe pasaportën shqiptare. Nuk dua të qëndroj këtu me kohë të kufizuar dhe vetë për të punuar. Po planifikoj të jetoj këtu.”
Sipas agjencive të punësimit, numri i shtetasve të huaj që punojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare pritet të rritet edhe më shumë.
M.B.





