DURRËS, 8 gusht 2014 – Pas kthimit nga Austria ku qëndroi rreth tri jave dhe pas një jave përgatitje në Durrës, skuadra është akomoduar në një nga hotelet e Ohrit, ku po zhvillon një minifazë përgatitore. Mbrojtësi durrsak Shaqir Stafa e konsideron favor faktin që skuadra stërvitet dhe po përgatitet në kushte luksoze. “Drejtuesit e klubit kanë bërë të mundur që të punojmë në kushte luksoze. Pas fazës përgatitore që zhvilluam në Austri, tashmë po kryejmë një minifazë në Ohër. Suksesi i Teutës gjithnjë ka qenë faza përgatitore e mrekullueshme që ka kryer përpara sezonit dhe këtë e treguam edhe në miqësoren kundër Tiranës ku zhvilluam një lojë të shkëlqyer. Drejtuesit me të drejtë i kushtojnë vëmendje të veçantë fazës përgatitore dhe mendoj se kjo do të na favorizojë jashtë mase. Tashmë ne duhet të mendojmë për të ecur sa më përpara. Jemi një grup shumë i mirë dhe kemi besim se do të ecim shumë lart përgjatë këtij sezoni. Skuadra po përgatitet intensivisht dhe gjithçka po ecën sipas parashikimit. Përgjatë këtyre dy sezoneve të fundit kemi qenë shumë afër titullit, por nuk ia kemi dalë mbanë. Edhe këtë sezon Teuta do të jetë skuadër pretendente dhe ndër më të mirat e Superiores. Kemi mësuar nga gabimet e së shkuarës dhe tashmë jemi më të kujdesshëm. Do të përfitojmë nga çdo rrethanë, për ta ngjitur sa më lart emrin e kësaj skuadre. Unë dhe shokët e skuadrës kemi besim te forca e grupit dhe do të japim maksimumin për të arritur objektivat. Mbrojtësi anësor u rikthye në shtëpi pas një aventure te skuadra e Besës. Stafa ndihet mjaft mirë që drejtuesit e klubit besuan tek aftësitë e tij dhe që e rikthyen në skuadrën ku ai u krijua si futbollist. “Jam shumë i lumtur që u riktheva në shtëpi, ku u premtoj të gjithëve se do të jap maksimumin tim, në mënyrë që të shpërblej besimin që drejtuesit e klubit patën tek unë. Teuta është skuadra ku u formova si lojtar dhe jap shpirtin për këtë skuadër. Qëndrimi larg kësaj skuadre ishte vërtet shumë i vështirë, prandaj ndihem i lumtur që tashmë u ktheva mes shokëve (lojtarëve) me të cilët u rrita. Në radhët e Teutës ka lojtarë me eksperiencë dhe të rinj, të cilët do të gërshetohen mirë me njëri-tjetrin dhe do arrijnë rezultate të mira. Pavarësisht se nuk na konsiderojnë favoritë, ne kemi besim dhe do të luftojmë për trofe në dy fronte: në kupë dhe kampionat”, përfundoi mbrojtësi.
/ agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





