Ka kaluar gati një orë, dhe Bovilla nuk është hapur ende për të shkaktuar përmbytjen e radhës në zonën e Shijakut.

Nisemi nga paralajmërimi i mëngjesit të sotëm të kreut të PD-së së Durrësit Osman Stafa, i cili dëshironte t’u bënte me dije të gjithë banorëve që të tregoheshin të kujdesshëm, se rreth orës 11:00 do të hapej Bovilla, dhe parashikoheshin përmbytje të mëdha.

Stafa, me këtë “lajm të fundit” që shpërndau në Facebook kishte vetëm një synim pozitiv, që të gjithë banorët e Shijakut, që hoqën të zitë e ullirit nga përmbytjet e vërteta të janarit, të merrnin masat e duhura për t’i bërë ballë përmbytjes së radhës.

Në fakt, masat duhet t’i marrin organet kompetente të shtetit, dhe nuk dihet ç’masë mund të marrin banorët e gjorë që nuk kanë asgjë në dorë. E vetmja masë që mund t’i shkojë ndërmend, është të nxjerrin skafet dhe motorët e detit, siç i nxorën gjatë muajit të shkuar, dhe të largohen me këto mjete kur rrugët të bëhen të pakalueshme.

Kjo foto e mëposhtme bëri xhiro në rrjetet sociale dhe mediet online gjatë përmbytjeve të fundit në Shijak, ku ky qytetar gjeti një zgjidhje origjinale për t’iu larguar pushtetit të ujit.

Ndoshta për këto lloj masash e ka pasur fjalën dhe kreu i PD-së së Durrësit. Por deri në hapjen e Bovillës, banorët janë ende në pritje…