Prej disa javësh Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë në Ambasadën Ruse në Tiranë, pas një kërkese të kësaj të fundit.
Në një deklaratë me shkrim, ambasada kërkon mbrojtje pasi ndihen të pasigurt pas kërcënimeve të njëpasnjëshme që kanë marrë në llogarinë e tyre në Facebook. Mbrojtja konsiston në ruajtjen e selisë, por edhe të stafit të ambasadës.
Nga verifikimet e bëra nga vetë diplomatët rusë, të cilat i kanë dorëzuar në Policinë e Shtetit, rezulton se kërcënimet kanë ardhur nga një person me banim në Pejë të Kosovës, i cili u ka shkruar shprehimisht “Do të vij të ju vras të gjithëve. që janë në ambasadë”. Pas këtij paralajmërimi, Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë në ambasadë.
Për disa ditë policia qëndroi jashtë ambasadës, por më pas masat e sigurisë u lehtësuan dhe tashmë ata kryejnë patrulla të shpeshta në zonën e Mjull-Bathore në veri të Tiranës, ku ndodhet godina e re e ambasadës ruse. Për lëvizjen e diplomatëve, policia angazhohet sa herë që marrin njoftim për ndihmë.
Nga ana tjetër, kanë nisur hetimet për personin që ka dërguar mesazhet dhe janë njoftuar agjencitë homologe kosovare./Top Channel