Deri më tani mësohet se vetëm 4 personave nga stafi mjekësor i spitalit rajonal të Durrësit u kanë ardhur përgjigjet e analizave për koronavirusin dhe kanë realizuar negative.

DurrësLajm mëson nga mjekë të spitalit se disa prej atyre që u është bërë testi janë njoftuar, disa të tjerë nuk janë njoftuar ende.

Gjithsesi, edhe ata që kanë rezultuar negativ, janë vetëkarantinuar, për të evituar përhapjen e virusit, që shfaqet brenda 14 ditësh që nga kontakti me të sëmurin.

Ndërkohë, sipas disa burimeve, por jo të konfirmuara zyrtarisht, mësohet se tamponët në rang kombëtar janë shpërndarë me tuba të verdhë. Tamponi futet në një tub, por ai nuk është tubi specifik për këtë test.

Mes stafit mjekësor të spitalit të Durrësit ekziston frika e prekjes nga koronavirusi, pasi e moshuara që ka rezultuar pozitive dhe është në gjendje të rëndë në reanimacion ka qëndruar e shtruar për disa ditë në spital, para se gjendja e saj të përkeqësohej dhe të kishte nevojë për intubim.

Sot u tentua që e moshuara të transportohej drejt QSUT-së në Tiranë, por pasi u fut aty, stafi që e shoqëronte e riktheu në ambientet spitalore të Durrësit. Paraprakisht dyshohet se e rikthyen sërish në spital. pasi nuk mund ta përballonte udhëtimin për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se deri tani në rang vendi ka vetëm 12 të prekur nga koronavirusi, 2 më shumë se ditën e martë.