Nga Kristaq Xhimitiku

Është bërë zakon apo kjo mund të jetë fiziologjike që në momente të vështira, krizash, në prag ngjarjesh të mëdha apo kthesash të papritura, vështrimi hidhet pas për të parë atë që të parët tanë kanë bërë dhe lënë për mirë apo për keq në të shkuarën. Është pikërisht ajo që ka ndodhur me asetet e fundit të mbetura të ish-shoqërisëStamles, që na ka shtyrë të thellohemi disi dhe të përmendim diçka nga historia e saj sot jo-“rentabël” dhe e nëpërkëmbur dikur e ndritur e paraprijëse e të gjitha zhvillimeve sociale e kapitaliste që nga koha mes dy luftërave botërore deri në ndërrimin e sistemit politik në Shqipëri.

21 SHKURT 1922

STAMLES (Shoqëria Tregtare Anonime Monopol i Letrës dhe Shkrepëseve) u krijua pas miratimit nga qeveria shqiptare më 21 shkurt 1922 të Ligjit për Formimin dhe Vendosjen e Monopolit Shtetëror të Letrës së Cigareve, Shkrepëseve dhe Letrave të Lojës. Me vendim të Ministrisë se Financave nr. 321 datë 7prill 1922 e gjithë sasia e mallit, tanimë monopol shteti, si shkrepëse, letër cigareje apo letra të lojës si dhe të çakmakëve të çfarëdo lloji e që gjendeshin dhe tregtoheshin në tregun shqiptar, do të regjistroheshin. Mbi këtë sasi malli do të aplikohej pulla fiskale (një banderole me mbishkrimin “Monopoli i shtetit shqiptar”). Pamundësia në praktike e realizimit nga shteti shqiptar i asaj kohe i një sistemi të mirëfilltë fiskal shitjeje dhe pastaj i mbledhjes së kësaj takse e detyroi Ministrinë e Financave të mendonte të shiste këtë monopol shtetëror, duke plotësuar kuadrin ligjor dhe duke parashikuar që për këtë monopol do të vepronin ligjet e përgjithshme të monopolit. Për t’u përmendur një nen që dënonte me burgim kontrabandistët që nuk paguanin taksën, i cili aplikohej nga monopoli i kripës që nga data 24 Rebihul-ahar 1288. Privatizimi i mundshëm i monopolit të letrës së cigares, shkrepëseve dhe letrës së lojës çoi në intensifikimin e përpjekjeve të shtresës së pasur në Shqipëri për gjetjen e financuesit apo të paketës financuese, që do të realizonte dy gjëra: blerjen e monopolit që kushtonte 500.000 franga ar dhe krijimin e një ndërmarrjeje që do të livronte monopolin, të përqendruar në pak duar, e që do të shtrihej në të gjithë Shqipërinë dhe që do të zëvendësonte shitjen e deriatëhershme të pakontrolluar të këtyre artikujve monopol. Në fondet e Familjeve të Mëdha në AQSH, si fondi 94 Familja Xhumurteka, fondi 462 Familja Dovana, në fondin 460 të shoqërisë Stamles etj. ekzistojnë letra të periudhës 1922-1923, të cilat pasqyrojnë përpjekjet për mbledhjen e “kapitaleve të fjetura” të tregtarëve shqiptarë dhe futjen e tyre në “punë” për blerjen e monopolit.

STATUTI

Sipas kontratës së 7 tetorit 1923, d.m.th 90 vjet më parë, Ministria e Financave e përfaqësuar nga z. Kol Thaçi dhe nga ana tjetër zotërinjtë, z. Jusuf Beshiri, dhe z. Aleksandër Hobdari nga Tirana z. Vangjel Spiro nga Durrësi z. Dhimitër Papajani nga Elbasani dhe z. Halan Frashëri nga Durrësi. të bashkuar në Shoqërinë e Thjeshtë Tregtare Kolektive, blenë nga shteti shqiptar monopolin e Letrës se Cigareve dhe Shkrepëseve dhe të Letrave të Lojës dhe do të fillonin tregtimin e artikujve të tillë brenda 6 muajve nga data e nënshkrimit pranë noterit të kontratës. Në periudhen 6-mujore të gjithë tregtarët që trajtonin artikuj të tillë do të shisnin mallin e mbetur në magazina dhe atë qe nuk shitej do ta blinte shteti shqiptar. Sipërmarrja do të mbante magazina në qytetet kryesore të Shqipërisë si në Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Korçë, Krujë, Peshkopi dhe kudo që do të lindte nevoja. Ministria e Financave publikoi një rregullore, në të cilën u përcaktuan qartë mënyra se si do të trajtoheshin artikujt e monopolit. Shoqëria duke qenë tregtare kolektive pra s.n.c (società in nome colletivo), ortakët  do të përgjigjeshin për obligacionet e shoqërisë në mënyrë solidare dhe të pakufishme. Një kreditor, p.sh, mund të kërkonte pagimin e kredisë në fillim nga shoqëria Stamles dhe, kur kjo të ishte e pamundur, kredia do të dëmshpërblehej duke pasur garant pasurinë e ortakëve themelues. Në vitin 1926, shoqëria e pesë ortakëve, të cilët kishin blerë nga qeveria shqiptare monopolin e letrës së cigareve, shkrepëseve dhe letrave të lojës, u organizua me një statut të vetin, i cili u miratua më 24 gusht 1926 nga Kryesia e Republikës me një dekret të firmosur nga President i Republikës A. Zogu dhe Ministër i Drejtësisë; Josif Kedhi zëvendësministër i Financave; Hysen Vrioni Ministër i Jashtëm dhe Musa Juka Ministër i Punëve Botore dhe Bujqësisë. Në Statutin me 59 nene, i cili do të ishte i vlefshëm për 15 vjet, aq sa ishte kohëzgjatja e monopolit të blerë nga shteti shqiptar, i kundërfirmosur nga presidenti i Asamblesë së shoqërisë Stamles z. Vlash Dovana dhe nga drejtori administrativ z. Petro Korçari, u miratua nga qeveria.

EMRI, QËLLIMI, DHE ORGANIZIMI I SAJ

Në lidhje me qëllimin, për t’u përmendur ishin livrimi i monopolit të dhënë nga shteti shqiptar, tregtia e duhanit dhe vajgurit si dhe prodhimi i cigareve dhe kutive të cigareve. Në artikullin 4 u përcaktua se kapitali i shoqërisë do të përbëhej nga 700 mijë franga ar. Nga këto, 216 mije franga ar u përkisnin 216 aksionet e vjetra nominale të shoqërisë me 1000 franga ar secili, të cilat ishin ndarë mes pesë themeluesve të shoqërisë dhe kishin formuar kapitalin e parë të saj. Këto aksione emëroheshin aksione fondacioni ose obligacione me vlerën e vërtetë të kapitaleve “të patundshme” të shoqërisë dhe si titull poseduesit e tyre merrnin pjese në ndarjen e 20 për qind të fitimeve neto të shoqërisë. Shoqëria Stamles kishte emetuar edhe 4.840 aksione po nominale me vlerë 100 franga ar secili. Çdo person që zotëronte një aksion me vlerë 1000 franga ar ose 10 aksione me vlerë 100 franga ar, quhej shok i shoqërisë. Qeveria Shqiptare kishte zgjidhur kështu  dhënien e monopolit të letrës së cigareve, shkrepëseve dhe letrave të lojës, duke shmangur me sukses kontrabandën dhe tregtinë e pandershme në tregun shqiptar.

Por qeveria shqiptare nuk pati të njëjtin sukses kur në vitin 1934 kishte menduar të shiste edhe monopolin e duhaneve në Shqipëri. Si pasojë e kontrabandës dhe evazionit fiskal në vitet 1933-34, taksa mbi duhanet nuk po mblidhej si më parë dhe ndikimi i saj në ekonominë kombëtare kishte rënë. Qeveria shqiptare gjendej në vështirësi të paguante edhe këstet e marrëveshjes së SVEA-s që mbështetej në hyrjet nga monopolet dhe rëndonte si lak në fyt i hedhur me ligësi nga qeveria fashiste italiane për të gjitha zhvillimet shqiptare. Qeveria shqiptare, në vend të 1.6 milion frangave të mbledhura në vitin 1929-1930, kishte mbledhur në vitin 1933-1934 rreth 800 000 franga ar, d.m.th, gjysmën, në një kohë kur të ardhurat nga monopoli i Stamles-it kishin mbetur gjithmonë në nivele të kënaqshme. Kështu shitja edhe e monopolit të duhaneve dukej e pashmangshme. Qeveria ofronte monopolin e duhaneve për një vlerë 6 milionë franga ar, nga të cilat 3 milionë si e drejtë e shtetit për monopolin e shitur dhe 3 milionë të tjera për dëmshpërblimin e atyre fabrikave që do të mbylleshin kur një tjetër fabrikë, qe prodhonte cigare, do të fitonte monopolin. Ne programin e ofruar qeverisë, shoqëria Stamles i garantonte një të ardhur prej 3 milionë franga ar në vit nga taksa mbi të gjithë monopolin, që tanimë, veç artikujve të letrës së cigares, shkrepëseve dhe letrave të lojës, do t’i shtohej edhe monopoli i duhaneve. Parashikimet e Stamles-it mbështeteshin në të dhënat mbi konsumin e letrës së cigares nga ku konsumi i duhaneve ishte rreth 500 000 kg. Fitimi vjetor i Stamles-it i programuar do të kalonte nga 220 000-300 000 franga ar pa llogaritur këtu sasitë e duhanit të grire dhe kontrabandën e që e çonte këtë fitim neto deri në 500 000 franga ar në vit. Në përpjekjet për të fituar monopolin e duhaneve, Stamles-i parashikoi të formonte një shoqëri të re s.a.p.a (Societa in accomandita per azioni) me kapital themelor 1.5 milion franga ar, kuptohet, me bazë Stamles-in e vjetër s.n.c. Nga te dhënat e arkivit të Bankës Kombëtare në Romë, kapitali i shoqërisë s.n.c Stamles në vitin 1934, pas rimbursimit të të gjitha aksioneve me vlerë 100 franga ar të marra në vite, ose thënë ndryshe, vlera e përgjithshme e obligacioneve sociale të tundshme dhe të patundshme, kishte arritur vlerën 1 milion e 150 000 franga ar. Kuptohet, ky kapital do të konsiderohet pronë e 5 themeluesve të Stamles-it. Në këtë kapital, të formuar në vite, do të hynin monopoli i letrës së cigares, shkrepëseve dhe letrave të lojës; rrjeti i magazinave në të gjitha qendrat e mëdha ose jo të Shqipërisë (Durrës, Shkodër, Vlorë, Berat, Gjirokastër, Korçë, Krujë, Peshkopi), shumica e këtyre objekteve ishte marrë me qira nga Stamles-i, por mund të kishte mes tyre që ishin blerë nga shoqëria; malli ose artikujt monopol që mbaheshin në këto magazina; fabrika e cigareve në Durrës,  fabrikat e cigareve filiale të Stamles-it në Elbasan dhe Shkodër; centrali elektrik në Durrës; kapitali i përgjithshëm i sipërmarrjes Krahu; kapitali bankar; të drejtat e fituara nga Stamles-i në zonat ku mbilleshin duhanet në raportet me prodhuesit; kapitalet xhiruese për mallrat në proces importimi nga jashtë shtetit etj. (është e kuptueshme që vetëm në librat financiarë të Stamles-it mund të lexohet e vërteta në lidhje me këto kapitale, ku mund të jetë edhe një listë e aseteve, pronë e shoqërisë apo e atyre të marra me qira te të tretët etj).

300 AKSIONARË NË QYTETE TË NDRYSHME TË SHQIPËRISË

Për të kuptuar forcën e këtij grupi në vitin 1934, mjafton të përmendim faktin se në këtë vit kishin përfunduar punimet për portin e Durrësit të financuara nga huaja SVEA (Società per lo sviluppo economico in Albania) mes firmës Ing. Mazzorana dhe shtetit shqiptar (Ministria e Punëve Botore). Ishte bërë dorëzimi provizor i punimeve, të cilat kishin kushtuar nga viti 1928 deri në vitin 1934 rreth 6.5 milionë franga ar ose 8.5 milionë lireta. Porti i Durrësit ishte vepra më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Nga ana tjetër, vetëm taksa mbi duhanet që Stamles-i do të paguante çdo vit, ishte e barabartë me 3 milionë franga ar. ose e barabartë me një të gjashtën e buxhetit të shtetit shqiptar; operacioni financiar prej 6 milionë franga ar që Stamles-i po kërkonte të përfundonte me shtetin shqiptar, ishte praktikisht i barabartë me vlerën e portit të Durrësit. Stamles-i ishte shoqëria më e madhe në Shqipëri, prandaj edhe krenaria e gjithë durrsakëve është e ligjshme. Për të fituar edhe monopolin e duhaneve, Stamles-i do te riorganizohej ne s.a.p.a. (Societa in accomandita per azioni) me kapital 1 500 000 franga ar. Ortakët e shoqërisë së vjetër Stamles do të vendosnin në shoqërinë e re një kapital themelor prej 900 000 franga ar dhe do te ishin përgjegjës solidarë për obligacionet e shoqërisë, kurse aksionarët e rinj, që mendonin se do të shiteshin 1400 aksione, do të ishin financuesit e shoqërisë me kapital xhirues prej 600 000 franga ar dhe do të ishin përgjegjës për kuotat e kapitalit të shoqërisë që kishin nënshkruar. Ky kapital, siç dihet, u mblodh nga afro 300 aksionarë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Me statut apo me një rregull të heshtur kapitali i aksionarëve financues mund të arrinte deri në 49 për qind të shoqërisë, duke lënë në favor të ortakëve titullarë të obligacioneve të shoqërisë gjithmonë 51 për qind të shoqërisë, pra paketën kontrolluese.

LETËRKËMBIMI

Deri më sot nga librat financiare të shoqërisë Stamles nuk ka asgjë të botuar, qoftë nga administratorët e shoqërisë, qoftë nga ndonjë person i mirinformuar. Këto rreshta për shoqërinë Stamles janë marrë nga një letërkëmbim i ministrit të Jashtëm të ish-Mbretërisë Italiane Indelli me drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të Bankës Kombëtare Shqiptare në Shqipëri av. A. Gambino. Dosja me një dokumentacion voluminoz ruhet në Romë. Ministri Indelli i njoftuar nga autoritet jugosllave, informonte av. A. Gambino për lojën e Këshillit Administrativ të Stamles-it, që kërkonte të tërhiqte interesin italian për financimin e monopolit të duhaneve. Shoqëria Stamles kishte dërguar në Beograd drejtorin e përgjithshëm z. Petro Korçari për të siguruar një financues për vlerën e 6 milionë franga ar për të paguar shtetin shqiptar në emër tëStamles-it në mënyrë që shoqëria të fitonte monopolin e duhaneve në Shqipëri. Ministri njoftonte që Stamles-i do t’i drejtohej për investim edhe Bankës Kombëtare Shqiptare me kërkesën për një investim të drejtpërdrejtë apo me një investim pranëStamles-it të një shoqërie italiane. Ministri udhëzonte që BKSH-ja të mos livronte investimin dhe të mbante në kontroll piacën e Durrësit për të shmangur ndonjë investitor të mundshëm. Nëpërmjet z. Perikli Spiro, administrator i shoqërisë Stamles, Këshilli Administrativ i Stamles-it iu drejtua legatës italiane në Tiranë, duke njoftuar për tratativa e z. Petro Korçari në Beograd, si dhe për faktin që shumica e Këshillit Administrativ të Stamles-it kishte preferuar një ndërhyrje italiane. Me gjithë lojën diplomatike si dhe mundësitë reale të Stamles-it për të shlyer investimin, Këshilli Administrativ i Stamles-it nuk arriti të afronte dhe të fitonte financimin as nga BKSH-ja dhe as nga SVEA.

JA GARANCITË E STAMLES-IT PËR FINANCUESIN

Vlerën e bobinave dhe letrës së cigareve që gjendej në magazinat e monopolit për 6 vjetet e mbetur deri në prill 1939. Askush dhe asnjë fabrikë cigareje në Shqipëri nuk mund të prodhonte e të shiste cigare qoftë kjo e shitur në paketa cigaresh me 1 gram për cigare qoftë e shitur në kuti duhani shoqëruar me bllokun e letrës së cigares të llogaritur për çdo kuti në masën tre të katërta të gramit duhan për cigare. Kjo sasi letre kishte pullën fiskale të monopolit të shtetit shqiptar dhe kuptohet ishte garanci për të gjitha kohërat. Duke llogaritur vlerën e bobinave në 30 franga ar, si dhe duke pasur parasysh vlerën e një blloku letër cigareje, kjo pasuri e depozituar në magazinat e monopolit kalonte vlerën 3 milionë franga ar. Për t’u përmendur se letra e cigares e depozituar në magazinat e monopolit, u përdor për shume vjet pas shtetëzimit të shoqërisë Stamles në vitin 1945, siç mund të rezultojë nga librat kontabël, që gjenden pranë administratorit të aseteve të shoqërisë. Nga ana tjetër, Stamles-i kishte pasuri të paluajtshme ndërtesa, që mund të rezultojnë të lexueshme edhe kjo nga librat kontabël, të cilët gjenden pranë administratorit të aseteve të shoqërisë. Kjo pasuri në lidhje me fabrikat e Durrësit dhe Elbasanit, truallin apo për objektet si dhe zyra të drejtorisë sëStamles-it, apo apartamente për personelin italian që ndiqte procesin teknologjik, drejtorin dhe administratorin e Stamles-it etj, për të cilat flitej në letërkëmbimin Indelli-Gambino, arrinte në 227 500 franga ar, pavarësisht se këtu nuk është e qartë se çfarë i takonte Stamles-it dhe çfarë personave të tretë. Këtu nuk ështeë llogaritur vlera e magazinave të monopolit në të gjithë Shqipërinë, një pjesë e të cilave mund të rezultojnë pasuri e Stamles-it, kreditorit apo financuesit të parë të monopolit Stamlesapo marrë me qira. Nuk është llogaritur as vlera e centralit elektrik të Stamles-it, pavarësisht se nga letërkëmbimi vlera e këtij centrali tanimë e shoqërisë SITA (shoqëri industriale tregtare anonime) ishte rreth 250 000 franga ar. Sipas parashikimeve, pas formimit të shoqërise së re Stamles S.a.p.A në vitin 1934, shoqëria e vjetër Stamles do të ekzistonte duke i shitur energji elektrike qytetit të Durrësit. Më në fund, në fabrikat e Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës kishte makineri dhe pajisje për prodhimin e cigareve dhe tipografisë me vlerë 411 200 franga ar. Në magazinat e Stamles-it kishte rreth 750 000-800 000 kg duhan të pëerpunuar, i cili, duke u shitur sipas projektit tëStamles-it me vlerën taksë 4 franga ar kg, jepte një të ardhur prej 3 000 000 franga ar. Në shoqërinë e re Stamles ishte llogaritur një vlere e shtuar prej 300.000 franga ar, që do të vinte nga fabrikat e duhanit, të cilat do t’i bashkoheshin monopolit të duhaneve. Kapitalet e fabrikave, që nuk do t’i bashkoheshin monopolit të duhaneve e që do teë dëmshpërbleheshin nga Stamles-i me këste në tre vjet, do t’i shtoheshin industrisë së prodhimit të duhanit.

INTRIGA ITALIANE

Kundër projektit të Stamles-it, përveç faktit që shitja e duhanit në kushtet e monopolit do të shmangte kontrabandën dhe kuptohet do të rriste çmimin  e shitjes së duhaneve në treg, nuk kishte argumente ekonomike që të kundërshtohej nga BKSH-ja dhe nga italianët. Por mosfinancimi i projektit të Stamles-it nga italianët kishte prapavijë politike. Stamles-i do të merrte kredi të drejtpërdrejtë me vlerën 6 milionë franga ar, të cilën do t’ia kalonte shtetit shqiptar, që në vitin e keq 1933 gjendej në vështirësi të mëdha, falë politikës ekspansioniste italiane në ekonominë shqiptare. Mbreti Zog nuk kishte konfirmuar kohëzgjatjen e Paktit famëkeq të Tiranës të vitit 1926 dhe italianët kishin ndërprerë financimin e huave të kontraktuara me qeverinë shqiptare. Nga ana tjetër, shitja e duhaneve në regjim monopol do t’i sillte shtetit shqiptar 3 000 000 franga ar në vit, nga të cilat 1 milion do të përdoreshin për të paguar këstet dhe interesat e kredisë së SVEA-s, që rendonte shumë në raportet mes Shqipërisë dhe Italisë. Përballë ndërhyrjes dhe intrigës italiane, shqiptarët vunë shoqërinë Stamles, krijesën më të shkëlqyer të kapitalit shqiptar në kushtet e krizës së rëndë të vitit 1933. Projekti i Stamles-it kishte rritur entuziazmin e jo vetëm të ortakëve aksionarë, por në përgjithësi të gjithë shqiptareve. Stamles-i ishte shembull i bashkimit të kapitaleve, kolektivitetit, i të jetuarit bashkë në shoqëri të të pasurve dhe të varfërve; i ndershmërisë përballë individualizmit të përhershëm të shqiptarëve dhe kontrabandës. Çdo kunj shkrepëseje, çdo cigare, çdo lojë me letra për shqiptarët do të thoshteStamles. Fakti që shoqëria Stamles mund të mblidhte brenda Shqipërisë kapitalin prej 6 milionë franga ar dhe projekti i Stamles-it trembi italianët, që ndërhynë me intriga në Këshillin e Shtetit. Ata hodhën njëri kundër tjetrit ministrat Gera dhe Thaçi. ProjektiStamles u konsiderua padrejtësisht i njëanshëm e elastik, që dëmtonte interesat e fabrikave të tjera të duhanit që gjendeshin në Shqipëri. Kështu, Qeveria dështoi në dhënien e monopolit të duhanit shoqërisë Stamles. Mbreti Zog pastaj nënshkroi marrëveshje që do t’i hapnin rrugën pushtimit italian të Shqipërisë. Shoqëria Stamlesnuk e fitoi dot monopolin e duhaneve, kjo edhe për fajin e ministrave shqiptarë. PorStamles-i pati nderin që në betejën me kapitalin dhe ndërhyrjen italiane të tërhiqej e fundit. Qytetarët e Durrësit e kanë konsideruar shoqërinë Stamles si pjesë të krenarisë së tyre.

EPILOG

Në fillim të shekullit të ri koha kishte kaluar edhe për fabrikën e cigares në Durrës. Muret dhe godinat të mbarsura me histori dhe erë duhani u vendos të kenë statusin në ruajtje apo në vrojtim si godina me interes të veçantë arkitektonik të fillimit të shekullit XX, sipas planit rregullues pjesor të Durrësit TAV nr. 6, hartuar nga një grup arkitektësh të Universitetit të Peskarës Itali, nën  udhëheqjen e ark. Piero Rovigati dhe ark. Carlo Pozzi, nënshkruar në KRRTRSH nga kryetari Sali Berisha dhe nga kryetari i KRRT të Bashkisë Durrës Vangjush Dako, në pritje të një destinacioni të ri si strukturë publike në Muze të Punës në Durrës, me vendim kolegjial të KRRTRSH-së të po këtij niveli.