TIRANË – Bazuar në rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues, standardet e kredisë kanë vijuar të shtrëngohen për bizneset dhe kanë mbetur të pandryshuara për kreditë dhënë individëve, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2012, njofton Banka e Shqipërisë. Standardet e kredisë u shtrënguan si për kreditë dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ashtu dhe për ato dhënë ndërmarrjeve të mëdha.

Faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve të kredisë për bizneset, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2012 ishin: problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend. Për kreditë dhënë individëve, faktorët që kontribuuan në shtrëngimin e standardeve janë: gjendja e kredive me probleme, gjendja financiare e individëve dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme.

Kushtet nëpërmjet të cilave bankat kanë zbatuar politikën shtrënguese të standardeve për kreditë dhënë bizneseve janë: rritja e kërkesës për kolateral, në raport me madhësinë e huasë, zgjerimi i marzhit mesatar dhe atij për kreditë me rrezik. Për individët, politika shtrënguese është zbatuar nëpërmjet uljes së madhësisë së kredisë së akorduar dhe rritjes së kërkesës për kolateral.

Kërkesa për kredi nga bizneset vlerësohet të jetë rritur ndjeshëm në tremujorin e katërt të vitit 2012, veçanërisht ndikuar nga kërkesa për kredi e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Kërkesa neto e individëve për kredi ka vijuar të jetë negative edhe gjatë këtij tremujori, ndikuar kryesisht nga rënia e kërkesës për kredi për blerje banese.

Standardet e kredisë dhënë bizneseve pritet të shtrëngohen më tej, sipas qëllimit të përdorimit dhe sipas madhësisë së bizneseve në tremujorin e parë të viti 2013. Standardet e kredisë dhënë individëve pritet të lehtësohen, si për blerje banese ashtu edhe për kredinë konsumatore. Kërkesa e bizneseve për kredi pritet të ulet pak, ndërsa kërkesa e individëve për kredi pritet të përmirësohet lehtë gjatë tremujorit të parë të vitit 2013.