Standardi i ushqimeve është një nga kërkesat për integrimin në BE, por njëkohësisht edhe një nga mënyrat për të rritur jetëgjatësinë dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës. Teksa është bërë një punë e mirë për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian, për shtimin e kontrolleve në treg dhe për ngritjen e një sistemi informacioni, jo gjithçka varet nga shteti. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, Genc Juka, sqaron për gazetën “Dyrrah” se përgjegjës për sigurinë ushqimore është vetë operatori i biznesi ushqimor i cili duhet ta garantojë atë nëpërmjet zbatimit të urdhrave dhe legjislacionit në fuqi. Juka gjithashtu tregon se si funksionon sistemi i kontrollit mbi tregun ushqimor, duke prekur edhe një argument delikat: pamundësinë ende për të eksportuar midhjet shqiptare, një produkt që do të ndikonte në ekonominë lokale dhe kombëtare.

Z. Juka, një nga kërkesat e rëndësishme për t’u integruar në BE sigurisht është dhe standardi i ushqimeve. Nga monitorimi që i bën institucioni që ju drejtoni këtij standardi, si paraqitet aktualisht situata. Sa afër apo larg jemi ne me standardet ushqimore europiane?

Në fakt kjo është një pyetje e cila është shumë e rëndësishme të sqarohet dhe të kuptohet drejt nga publiku i gjerë dhe kryesisht nga konsumatori shqiptar. Garantimi i sigurisë ushqimore nuk varet plotësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe ky i fundit nuk monitoron standardin e sigurisë ushqimore. Në fakt ky është një koncept i cili është i sqaruar dhe përcaktuar edhe në legjislacionin shqiptar e më saktë në ligjin “Për Ushqimin”. Ajo që është shumë e rëndësishme të theksohet është se përgjegjës për sigurinë ushqimore është vetë operatori i biznesi ushqimor i cili duhet ta garantojë atë nëpërmjet zbatimit të urdhrave dhe legjislacionit në fuqi. Thënë kjo, AKU është institucioni i cili shërben si një pikë reference për operatorin e biznesit, për t’i ardhur në ndihmë atij e për ta monitoruar në mënyrë konstante që parametrat e garantimit të sigurisë ushqimore në vendin tonë të zbatohen. Në fakt deri më tani është bërë një punë mjaft e madhe në drejtim të plotësimit të këtij standardi shumë të rëndësishëm, por ajo që unë dua të vë në dukje është se për t’u bërë pjesë e BE sa i përket sigurisë ushqimore nevojitet akoma një punë mjaft e madhe duke qenë se qenia pjesë e këtij unioni ka benefitet e saj por ka dhe detyrimet përkatëse në të cilat ne jemi fokusuar më së shumti si institucion. Aktualisht AKU është përqendruar në rritjen e cilësisë së inspektimeve duke lënë pas pjesën voluminoze të kryerjes së tyre. Tashmë këto inspektime do të kryhen në bazën e një vlerësimi risku që kryhet paraprakisht dhe që do të përcaktojë edhe shpeshtësinë apo frekuencën e inspektimit. Ndërkohë një pjesë shumë e rëndësishme janë dhe metodat profesionale të kontrollit tek operatori i biznesit ushqimor, pjesë kjo e cila nga ana jonë nuk lihet në asnjë moment pas dore.

A mund të na përmendni konkretisht disa nga parametrat përsa i përket sigurisë ushqimore ku jemi afër parametrave europianë dhe disa të tjera ku jemi pas?

Më duhet të them se megjithëse AKU ka vetëm pak kohë që është ngritur si institucion dhe është një organizëm mjaft i ri, pasi ka vetëm afro 2 vite që funksionon në realitetin shqiptar, deri më tani është bërë një punë mjaft e madhe dhe voluminoze në drejtim të ngritjes së bazave për garantimin e sigurisë ushqimore në vend. Së pari është përafruar legjislacioni europian dhe normativat në fuqi të BE përsa i përket funksionimit të AKU-së dhe përcaktimit të rregullave të lojës për çdo operator biznesi si për funksionimin brenda vendit ashtu edhe për eksportet dhe importet e produkteve ushqimore. Pra aktualisht AKU ka praktikat më të mira të inspektimit dhe funksionimit të cilat janë huazuar nga BE. Pikë së dyti AKU është prezent në tregun ushqimor shqiptar në të gjithë Shqipërinë me anë të 12 filialeve të saj në të 12 qarqet e vendit. Kjo bën të mundur që institucioni t’i qëndrojë pranë me anë të kontrolleve dhe inspektimeve të vazhdueshme operatorit të biznesit ushqimor duke i lënë detyra për zbatim dhe afate të përcaktuara kohore për të zbatuar legjislacionin dhe normativat në fuqi. Së treti AKU ka një filtër të madh të cilat janë pikat e kalimit kufitar të cilat aktualisht janë 13 dhe ne kemi përfaqësues të cilët kontrollojnë të gjithë produktet ushqimorë që hynë në Republikën e Shqipërisë. Kjo do të thotë se rreziku për pranimin e produkteve jo të sigurta fillon të eliminohet që në këto pika përsa i përket importeve. Së katërti një pjesë shumë e rëndësishme e funksionimit të AKU-së është sistemi i informimit. Me anë të këtij sistemi i cili zbatohet në të gjitha fazat e prodhimit primar dhe në të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë, Autoriteti arrin të marrë sinjale nga të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar (PKK) dhe të dhëna në kohë reale përsa i përket rreziqeve të ndryshme në tregun shqiptar të ushqimeve, duke ndërhyrë për të marrë masat e duhura. Ndërkohë në ndihmë këtij sistemi, i vjen dhe database-i i krijuar nga ne, me anë të së cilit ne jemi në gjendje të kemi një informacion të plotë e të saktë mbi llojin e aktivitetit që kryen çdo operator i biznesit ushqimor qoftë ky shitës, tregtues apo përpunues, duke bërë të mundur në këtë mënyrë edhe ndërhyrjen e AKU në rastet kur është e nevojshme për të rregulluar apo lënë detyra për zbatim në favor të konsumatorit.

 

15 kompani kanё tё drejtёn e eksportit pёr peshkun e freskёt dhe produkteve tё peshkut nё BE. Nga kёto, 5 kompani bёjnё përpunim dhe ambalazhim tё peshkut nё madhёsi, formё dhe shije tё ndryshme dhe tё tjerat eksportojnё peshk tё freskёt, i peshkuar nga anijet e peshkimit nё detin Adriatik dhe Jon

4 drejtime kanë qenë prioritare për punën e AKU. Është përafruar legjislacioni europian dhe normativat në fuqi të BE, AKU është prezent me filialet e saj në të 12 qarqet e vendit, filtrimi në pikat e kalimit kufitar për garantimin e standardeve të ushqimeve që hyjnë në Shqipëri dhe sistemi i informimit

Cilat janë produktet kryesore shqiptare që eksportohen në tregjet e BE-së dhe si shpjegohet fakti që ka produkte të caktuara si midhjet p.sh. që nuk lejohen të kalojnë prej vitesh në këtë territor?

Industria e përpunimit tё peshkut ёshtё një degë relativisht e re, e cila ka marrë njё zhvillim tё rёndёsishёm nё vitet e fundit. Zhvillimi i vrullshёm i kёsaj dege tё industrisë ushqimore lidhet me disa faktorë, siç ёshtё rritja e konsumit tё produkteve tё peshkut, por ёshtё e lidhur ngushtёsisht dhe me eksportet e peshkut dhe produkteve tё tij drejt BE dhe vendeve tё rajonit. Aktualisht janё 15 kompani tё cilat kanё tё drejtёn e eksportit pёr peshkun e freskёt dhe produkteve tё peshkut nё BE. Nga kёto, 5 kompani bёjnё përpunim dhe ambalazhim tё peshkut (açuge, sardele) nё madhёsi, formё dhe shije tё ndryshme dhe tё tjerat eksportojnё peshk tё freskёt, i peshkuar nga anijet e peshkimit nё detin Adriatik dhe Jon. Ndërkohë përsa i përket eksportit të produkteve ushqimore me origjinё shtazore nё BE, vendet të cilat janë të interesuara për të bërë këtë lloj tregtie, duhet tё plotёsojnё kёrkesat e legjislacionit tё BE pёr sigurinё ushqimore. Fillimisht kёto stabilimente licencoheshin pas kontrollit qё kryhej nga inspektorët e BE. Tashmё me rritjen e aftёsisё tekniko-profesionale tё stafit tё AKU, ёshtё bёrё e mundur qё kёto inspektime nga specialistёt e BE tё jenё 1 herё nё disa vjet. Stafi ynё aktualisht ka tё drejtёn tё japё licenca pёr eksport tё peshkut dhe produkteve tё peshkut nё BE, por njёkohёsisht edhe tё pezullojё pёrkohёsisht veprimtarinë e këtyre subjekteve, ose dhe pёrfundimisht, nё varësi tё shkeljeve tё ligjeve nё fuqi. Ndërsa përsa i përket midhjeve, ose siç njihen në terma shkencorë molusqeve bivalve, kjo është një histori krejt tjetër e cila nuk ka të bëjë drejtpërsëdrejti me AKU apo me operatorin e biznesit ushqimor. Duke parë rëndësinë e madhe që ka eksportimi i molusqeve bivalve është tentuar disa herë nga qeveria shqiptare që ky eksport të hapet, por për hapjen e tij vendit tonë i është vendosur si kusht implementimi i një sistemi monitorimi për kontrollin analitik dhe inspektimit veterinar të gjithë aktivitetit prodhues dhe tregtues të molusqeve bivalve. Është i njohur fakti që niveli i ndotjes bakteriale të mjedisit ujor dhe molusqeve bivalve që jetojnë në këtë mjedis, ndërthuret me shumë faktorë të njohur dhe të panjohur. Kështu niveli i ndotjes bakteriale mund të rritet si pasojë e rritjes së shkarkesave urbane, ndryshimit të temperaturës dhe ndryshimit të ekosistemit ujor. Pra, për ta thënë më thjeshtë, mjedisi ujor ku aktualisht rriten molusqet bivalve nuk është i përshtatshëm për të zhvilluar midhje të cilësisë së parë të destinuara për eksport. Dhe duhet thënë se nuk ka munguar për asnjë moment as investimi privat por as përkushtimi i qeverisë shqiptare për të hapur eksportin e këtij lloj produkti.

A ka një forcim të kontrollit doganor dhe mos lejim të futjes në territorin shqiptar të mallrave që nuk kanë certifikatën e BE-së. P.sh. rasti i misrit brazilian që nuk lejohet më të hyjë në tregun tonë?

Ajo që mund të them është se çdo produkt që do të futet në tregun shqiptar do të duhet të ketë standardet e sigurisë ushqimore, pavarësisht llojit të tij. Në këtë sens, në pikat tona doganore do të hyjnë vetëm produkte me siguri maksimale ushqimore për konsumatorin, sigurisht i certifikuar në standardet europiane.

Si ka qenë bashkëpunimi me partnerë të tillë si EFSA, GOARN, INFOSAN,RASFF dhe strukturat përkatëse të komisionit europian në këtë drejtim?

AKU në cilësinë e Autoritetit kompetent i cili kujdeset që operatori i biznesit ushqimor të garantojë sigurinë ushqimore në Republikën e Shqipërisë është anëtar i Agjencisë Europiane për Sigurinë Ushqimore (EFSA), është anëtar i sistemit global për sinjalizimin e risqeve (GOARN), anëtar i Rrjetit Ndërkombëtar të Autoriteteve të Sigurisë Ushqimore (INFOSAN) dhe njëkohësisht pikë kontakti për sistemin Europian të njoftimit të shpejtë (RASFF). Pjesëmarrja në të gjitha këto rrjete është një pikë kyçe për të integruar sistemin e sigurisë ushqimore në Shqipëri me sistemin europian të sigurisë ushqimore. Në bashkëpunimin e tij me këto institucione AKU shkëmben informacione për të gjitha produktet ushqimore që hyjnë dhe dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë duke krijuar në këtë mënyrë kushtet e nevojshme për të garantuar konsumatorin shqiptar për produktet që importohen në Shqipëri dhe anasjelltas, konsumatorin europian dhe botëror për eksportet nga Shqipëria.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat po përballeni në procesin e garantimit të sigurisë ushqimore dhe synimit për të arritur standardet europiane?

Do të thosha që problemi kryesor dhe më i rëndësishëm që ekziston në stadin aktual të garantimit të sigurisë ushqimore në vendin tonë, është ndërgjegjësimi i vetë konsumatorit për produktet që ai blen. Më lejoni të marr shkas nga ky rast për t’i bërë thirrje çdo konsumatori të jetë mjaft i kujdesshëm e selektiv në mallrat që zgjedh për konsum duke parë më vëmendje etiketën e produktit, të shikojë datën e skadencës dhe të zgjedhë produkte të shëndetshme për mirëqenien e tij. Duke qenë vetë konsumatori filtri kryesor i produkteve të shëndetshme, ose jo të shëndetshme, është më e lehtë për të gjitha hallkat e mëtejshme të garantimit të sigurisë ushqimore për të sjellë në tryezën e gjithsecilit ushqime e produkte të sigurta. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në këtë prizëm është një derë e hapur për çdo konsumator apo operator të biznesit ushqimor, për të pritur dëgjuar e ndjekur ankesat e denoncimet e tyre në lidhje më këtë çështje. 

 

Duke parë rëndësinë e madhe që ka eksportimi i midhjeve, është tentuar disa herë nga qeveria shqiptare që ky eksport të hapet, por vendit tonë i është vendosur si kusht implementimi i një sistemi monitorimi për kontrollin analitik dhe inspektimit veterinar të gjithë aktivitetit prodhues dhe tregtues të molusqeve bivalve. Është i njohur fakti që niveli i ndotjes bakteriale mund të rritet si pasojë e rritjes së shkarkesave urbane, ndryshimit të temperaturës dhe ndryshimit të ekosistemit ujor. Për ta thënë më thjeshtë, mjedisi ujor ku aktualisht rriten molusqet bivalve nuk është i përshtatshëm për të zhvilluar midhje të cilësisë së parë të destinuara për eksport