BRUKSEL, 30 mars 2013 – Presidenti i Partive Socialiste Europiane, Sergei Stanishev, u ka bërë thirrje dy krerëve kryesorë politikë të së majtës, Edi Ramës dhe Ilir Metës, të lënë mënjanë iluzionet e vjetra dhe të bashkohen në emër të perspektivës së re progresiste. Në një intervistë për zgjedhjet e pritshme, ai tha se tetë vjet qeverisje nga Berisha është më shumë se mjaft, dhe Shqipëria ka nevojë për alternativa të reja drejtimi. Sipas tij, këtë alternativ e mundëson bashkimi i PS-së me LSi-në, "Unë besoj se shumica e shqiptarëve duan një perspektivë të re, duan ndryshim dhe ky ndryshim mund të ofrohet përmes bashkimit dhe bashkëpunimit të dy partive më të mëdha të së majtës, PS dhe LSI", tha Stanishev për Top Channel.
Shqipëria do të mbajë zgjedhje me 23 qershor. Partitë e majta mund të shkojnë të ndara në këto zgjedhje. Si president i PES-it, çfarë do t’u sugjeronit partive të majta shqiptare?
Po ndjekim nga afër situatën në Shqipëri; kemi qenë me mision së bashku me miq të tjerë të Internacionales. Së shpejt do të bëjmë një konferencë për çështjet e integrimit. Bashkimi është fjala që është kryesore për zgjedhjet. E di që situata ekonomike e sociale është e rëndë, papunësia është 17%, të papunë janë 1 milionë shqiptarë pa të ardhme, pa para për familjet e tyre. Është misioni më i madh për forcat progresive të Shqipërisë të bashkohen e të propozojnë një alternativë ekonomike të vlefshme për perspektivën e vendit, për dy partitë kryesore të së majtës. PS e Ramës dhe LSI e Metës duhet të lënë mënjanë vizionet e vjetra.
Edi Rama po drejton Partinë Socialiste që prej 8 vjetësh. Meta ka 4 vjet në pushtet me qeverinë. Si mund t’i kalojnë këto diferenca në prag të zgjedhjeve, kur dihet mirë që bashkëpunimi i këtyre dy partive është njësoj me fitoren e zgjedhjeve të ardhshme?
Me urtësi, me respektin e përbashkët që mund t’ i bashkojë dy partitë dhe dy liderët: E ardhmja e vendit është në duart e tyre, duhet të marrin përsipër përgjegjësitë që kanë për vendin. 8 vjet qeverisje nga Berisha janë mjaft, më tepër se mjaft. Unë besoj se shumica e shqiptarëve duan një perspektivë të re, duan ndryshim dhe ky ndryshim mund të ofrohet përmes bashkimit dhe bashkëpunimit të dy partive më të mëdha të së majtës; PS dhe LSI.
Ju jeni një mik edhe i Ramës edhe i Metës. Çfarë do t’i sugjeronit Metës në fazën finale të marrjes së vendimit mbi negociatat e formimit të koalicionit?
Të dy liderët i respektoj vërtet shumë, ashtu si dhe koleget e tjerë të mi në familjen e Internacionales Socialiste. Në Kongresin e vitit 2012 ata ishin të dy të ftuar dhe patëm bashkëbisedime mjaft të mira dhe mesazhi që unë u përcolla të dyve në emër të familjes socialiste ishte: bashkëpunoni. Lini mënjane ndarjet! Keni një mision të madh për popullin dhe vendin. Besoj se të dy janë të matur dhe me eksperiencë si në qeveri ashtu edhe në opozitë, ndaj mendoj se do t’i gjejnë mënyrat për të bashkëpunuar me urtësi dhe qartësi mbi atë që vendi ka nevojë. Kjo është kryesorja, sepse politika nuk është për veten, nuk është për pushtetin por është për të bërë gjëra për njerëzit; rritje ekonomike, më shumë punë, investime, infrastrukturë, konkurrueshmëri dhe drejtësi sociale. Unë mendoj që të majtët kanë ide vërtet shumë të arsyeshme e të mira për ekonominë, si të kthejnë drejtësinë dhe solidaritetin në shoqëri, përfshi taksen progresive mbi të ardhurat, si dhe të përmirësojnë situatën në lidhje me biznesin në Shqipëri. Gjithashtu është e rëndësishme të mbahet mend se familja eurosocialiste mbështet perspektivën euriopiane të Shqipërisë dhe që ne do të punojmë së bashku në të ardhmen për integrimin e Shqipërisë pasi qeveria e Sali Berishës nuk arriti dot t’i siguronte integrimin vendit, që është një arsye më shumë për ndryshimin e qeverisjes, dhe kjo ne të mirë të vendit.
Çfarë do t’i sugjeronit zotit Rama, teksa jo pak mbështetës të tij e konsiderojnë si të papranueshme bashkëpunimin/koalicionin me LSI-në?
Politika është një profesion i vështirë. Sigurisht që kemi patur në të shkuarën momente ne partinë time, në familjen time, ku forcat kane patur pozicione të ndryshme; por ka gjëra që janë më të mëdha se e shkuara: Kjo është e ardhmja! Ju keni përgjegjësinë dhe besoj se Edi Rama e kupton këtë. Nëse Partia Socialiste punon së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim, kjo siguron shanse më të mira për ndryshim më të madh në vend. Problemet individuale, ndasitë, konfliktet, duhet të lihen pas.
Kush është apeli juaj për mbështetësit e të dyja partive?
Do ju bëja një pyetje, a e doni ndryshimin për vendin, a doni një jetë më të mirë, ekonomi më të mirë, drejtësi, zbatim te ligjit, integrim? I doni? Bëhuni bashke!





