Ndonëse kanë kaluar vite që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Këshilli i Evropës, përmes një resolute, ka bërë thirrje për forcimin e rolit të Misionit të Përkohshëm Administrativ të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Serbia ia arriti ta kthejë prapa rrotën e historisë, sikur Kosova të ishte ende një krahinë e mbikqyrur nga Kombet e Bashkuara. Delegacioni i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk ishte në gjendje të miratonte amendamentet e veta dhe as të ndalonte miratimin e amendamenteve të prezantuara nga Serbia, pavarësisht se fajin ia vunë deputetes shqiptare të Maqedonisë, e cila nuk mori pjesë në votim.
Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ishte hartuar me consensus dhe, si e tillë, kishte qëndrimet e të gjitha palëve brenda, përfshirë edhe ato serbe. Gjatë miratimit, delegacionet mund të propozojnë amendamente dhe mbrojtjen e qëndrimit të Kosovës e kishte marrë përsipër delegacioni shqiptar (meqë Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës). Në këtë pikë, Serbia rezultoi shumë më e fortë dhe arriti fitoren e radhës, pasi mohimit të drejtës së Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO.
Haliti: Ah sikur të kishte qenë edhe Berisha…
Aq të hutuar kishin mbetur delegacioni shqiptar dhe parlamentarët e Kosovës, saqë kishin nisur të qaheshin për mungesën e Sali Berishës. Në fakt, Berisha është një prej katër deputetëve, që bën pjesë në delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, pasi miratimit të rezolutës, u shpreh i zhgënjyer dhe theksoi dëshirën që present të kishte qenë vetë Berisha, dhe jo deputeti zëvëndësues Oerd Bylykbashi. “Sikur të kishte ardhur edhe zoti Berisha, me siguri amendamentin për çështjen e UNMIK e kishim kaluar sipas interesave tona,” – u shpreh Haliti.
Kjo deklaratë e tij krijoi pak zhurmë dhe Haliti u detyrua ta sqarojë atë, duke thënë se dëshira e tij për praninë e Berishës kishte të bënte me influencën që Berisha ka mes parlamentarëve të Këshillit të Evropës.