Sulmejan Starova, drejtori sportiv i Teutës, në analizën e tij për sfidën që durrsakët humbën përballë Partizanit, i dha meritën të kuqve se bënë atë që duhej për të dalë me tre pikët. Sipas tij, të kuqtë e merituan fitoren, edhe pse erdhi pas një gabimi.
“Edhe në vigjilje dihet që këto ndeshje prodhojnë tension, emocione të mëdha ku përfshihen futbollistë, trajnerë, tifozët dhe ky lloj tensioni nëse kalon pa gabime, ajo që nuk gabon e fiton. Kurse gabimi, siç gaboi sot lojtari më i mirë i vitit, i dha mundësinë Partizanit të fitojë ndeshjen.Teuta ushtroi presion e detyroi Partizanin të ndryshonte skemë. Ne momentin më të mirë të Teutës ai gabimi që është gjynah që ndodh kështu.
Ndeshjen e ka humbur skuadra e jo portieri. Kështu ishte edhe pjesa e dytë. Nga një Partizan që mendohej se do të luante duke përdorur presion duke menduar se Teuta mjaftonte të mos humbte, ky fakt bëri që Partizani pastaj të menaxhonte avantazhin, me shumë forca në mbrojtje dhe pas 75 minutash fituan raste me kundërsulme se edhe ata ishin në trysninë e avantazhit. Nuk të lejon tensioni të japësh më të mirën.
Ky lloj presioni kaq i madh mund të prodhojë gol pa dashje, pastaj është e vështirë pastaj.Partizani ka fituar me meritë, duke vuajtur. E meritoi fitoren, e mori me mund, me djersë e vështirësi dhe ky është realiteti”, tha Starova.





