“Kur e kaluara takohet me të ardhmen”, nisma më e re kulturore në Durrës startoi mbrëmë me aktivitetin e saj të parë.

Shoqata Durrësi aktiv dhe “MuzehLab” ideuan këtë nismë për rivitalizimin e trashëgimisë kulturore të qytetit, që po zbatohet përmes programit “Eu4culturealbania” të financuar nga “EUinAlbania dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës.

Projekti nisi me ditën e monumenteve të hapura. Kjo është një ditë që festohet botërisht dhe ne vendosëm që ta kalojmë ku më mirë sesa pranë Torrës Veneciane përmes poezive, të cilat i dedikohen monumenteve”, tregon themeluesja e “MuzehLab”, Dorina Xheraj.

Teksa foli për “DurrësLajm” pas “Natës poetike të monumenteve”, Xheraj bëri të ditur se nisma ishte pritur mirë nga durrsakët dhe këtë e tregoi impenjimi i tyre për këtë aktivitet të parë.

Kjo nismë synon të ndërlidhë kujtesën kolektive qytetare me trashëgiminë arkeologjike, për të rigjeneruar monumentet kulturore të qytetit të Durrësit, si dhe të sjellë zhvillim dhe mundësi për rritjen ekonomike të tij.