Pasditen e së enjtes me një konferencë për shtyp në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu”, startuan aktivitetet me rastin e 30-vjetorit të eksodit të anijes “Vlora”, në bordin e së cilës ishin mijëra shqiptarë që udhëtuan në brigjet italiane.
Në fjalën përshëndetëse që mbajti ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, ai nënvizoi se Shqipëria e 30 viteve më parë është shumë ndryshe nga Shqipëria e sotme.
I pranishëm në Shqipëri në vitin 1992, ambasadori Bucci tha se vendi ynë ka ecur shumë përpara dhe dëshmia e kësaj janë negociatat që vendi ynë pret të hapë me Bashkimin Evropian.
Sipas tij, Shqipëria e meriton hapjen e negociatave pasi ka bërë gjithçka për të përmbushur kriteret e vendosura nga BE-ja.
Ndërkohë konsullja shqiptare në Bari, Gentiana Mburimi, nënvizon se shqiptarët tashmë janë kthyer në një përfaqësi mjaft dinjitoze e vendit tonë në rajonin e Pulias por dhe më gjerë. Ajo nënvizoi se ndryshe nga 30 vite më parë shqiptarët janë kthyer në sipërmarrës të sukseshëm, në studentë me rezultate të larta në universitetet italiane, etj.
Më pas të pranishmit vizituan dy ekspozitat e hapura në hollin e Qendrës Kulturore, njëra e fotografit italian Vittorio Arcieri, që pasqyronte arritjen e emigrantëve shqiptarë në Bari në gushtin e vitit 1991, ndërsa tjetra e fotografes Eva Meksi, e titulluar “Obiettivo oltre: Immagini del contributo delle donne albanesi in Puglia”, e cila ishte një ndër mjiëra shqiptarët e mbërritur në Bari me anijen “Vlora”.