TIRANE, 21 shkurt 2013– Edicioni i gjashtë i reality show Big Brother Albania, nis më 23 shkurt 2013, e shtunë ora 21.00 me transmetim fillimisht në Top Channel dhe më tej në dy kanale Big Brother 1 e 2, me pagesë.

Mbrëmjen e së shtunës spektakli pritet të zgjasë rreth 4 orë. Më pas do të ketë një ndërprerje 30 minutëshe për t'u rikthyer po në TCH edhe për rreth dy orë të tjera, transmetim live nga shtëpia e BB6.

Më tej do të ketë transmetim 24 orë në 24 për 100 ditë rresht në BB1 e 2. Java e parë pritet të jetë pa pagesë kurse periudha e mbetur, pak më shumë se tre muaj do të jetë e koduar dhe mund të shihet vetëm me pagesën 1000 lekë.

Sakaq çdo pasdite do të ketë në TCH një përmbledhje ditore dhe të shtunave spektakli.

Tashmë që rregullat kanë ndryshuar, stafi organizator u jep këtë porosi aplikuesve: “Ka nje kuadrat ku ju pyetet per sekretin tuaj. Aty duhet te vendosni nje sekret konkret dhe jo faktin qe e keni nje te tille dhe kaq! Eshte shume e rendesishme qe ne ta dime, sepse ky sekret do te jete pjese e rendesishme e jetes suaj brenda ne shtepi. Te gjithe banoret ne BB6 do të hyjnë me një sekret – çdo sekret ka një çmim”, – thuhet në mesazhin informues të organizatorëve.

Çiftet që do të hyjnë në garë do të hiqen sikur s’e njohin njëri-tjetrin, ata që do bëhen çift në garë, dhe pabesitë e miqve për të zbuluar sekretin e gjithkujt.

Për çdo sekret do të ketë një çmim dhe për lojtarët do të jenë dy çmime të mëdha këtë vit, që janë çmimi i sekretit dhe çmimi i fituesit.

Do të jenë 16 banorë të rinj, të cilët do të ruajnë një sekret që do t’u zbulojë banori tjetër kundërshtar. Në bazë të rëndësisë së sekretit, çdo banori do i vendoset një çmim në para, që nëse nuk do të munden të ruajnë sekretin e tyre, shuma i kalon automatikisht banorit që arrin ta zbulojë sekretin e tij. Pra, të gjithë do të kenë një të fshehtë dhe do hyjnë me një shumë të caktuar. Detyra e tyre është që duhet të zbulojnë sekretet e njëri-tjetrit dhe, në momentin që njëri konkurrent zbulon të  tjetrit, shuma që kishte i kalon atij që ia zbuloi, dhe ai është në rrezik për të lënë shtëpinë e “Big Brother”.

Nga ana tjetër, strategji të reja për të zhvilluar intrigën në ekranin e Top Channel dhe BB1 e BB2 këtë vit. Këtë sezon pritet që Genta dhe Enxhi, të përfshihen përsëri në lojë për të stimuluar intrigat.

Për Enxhi Kamenicën, kjo do të jetë hera e tretë që provon një eksperiencë të tillë si infiltruese në “Big Brother” dhe “VIP Shpija”. Të paktën deri tani është emri i saj që po përflitet se do të ngatërrojë banorët e tjerë në “Big Brother”, duke e kthyer si profesion. Një tjetër emër i përfolur është ai i Genta Gjalpit, e cila ka ndryshuar look dhe ndodhet në Tiranë, duke tentuar për të rihyrë në “Big brother” si e infiltruar kësaj here.

Gjithçka është ndërtuar kështu për të krijuar sa më shumë intriga, prapaskena, pabesi dhe konflikt brenda lojës, me qëllimin që loja të jetë e gjallë dhe e vërtetë. Kështu, në bazë të sekreteve do të zbulohen dhe karakteri apo jeta e vërtetë e lojtarëve jashtë mureve të shtëpisë së vëzhguar.

Ata në fillim do të hiqen ndryshe nga çfarë janë dhe ajo që ata përfaqësojnë me të vërtetë do të zbulohet nga lojtari konkurrent.

Pjesë e lojës pritet të jenë: një person që ka shumë para në jetën reale, por në lojë do të hiqet si një i varfër, dikush që mund të jetë gay dhe në “BB” duhet të hiqet si maço i vërtetë duke ngacmuar femrat, apo një vajzë që realisht nuk e ka të atin gjallë, ndërkohë që në lojë do të flasë gjithë kohës për marrëdhënien e përditshme me të. Pra, personazhet duhet të luajnë edhe me fantazinë e tyre dhe me rrëfimin e një të vërtete të bukur apo të hidhur, për zbulimin e së cilës kanë marrë parasysh gjithçka dhe kanë bërë kompromis para hyrjes në lojë.

Sa u përket karaktereve, mësohet se është një vajzë që e kanë konsideruar “alla Genta” dhe që pritet të trazojë gjithë banorët me tipin e saj.

Në këtë edicion të gjashtë ashtu si edhe herën e kaluar sërish do të jetë një djalë kokteilesh që vjen nga një prej club-eve të njohura të Tiranës. Ai është një djalë që ka jetuar jashtë dhe ka hobi kërcimin.

Po ashtu pritet të jetë në shtëpinë e Big Brother edhe një vajzë që do të rrëfejë eksperiencat e saj shokuese me shumë meshkuj njëkohësisht.