Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për “Javën e Evropës”, fëmijë me aftësi të kufizuara të Qendrës Komunitare Durrës zhvilluan një vizitë tek Torra Veneciane, ku u njohën me afër me historikun e këtij Monumenti Kulture.
Tematika e aktiviteteve të këtij viti është “BE për Gjithëpërfshirjen, Diversitetin dhe të Drejtat e Njeriut”. “Gjatë gjithë kësaj jave, nga data 2-9 maj janë parashikuar një sërë aktivitetesh. Çdo vit, BE ka një tematikë në fokus dhe këtë vit është gjithëpërfshirja. Prandaj jemi mbledhur sot këtu, që fëmijët me aftësi ndryshe ta njohin më nga afër historinë e qytetit të Durrësit”,- deklaroi Floreta Kërtusha, nga njësia e integrimit pranë Drejtorisë së Turizmit në bashki.

Ndërkohë, në qendër të qytetit u hap ekspozita interpretuese “Të prekim trashëgiminë përmes shqisave”, ku ishin vendosur në miniaturë 10 monumente kulture të qyteteve shqiptare dhe qytetit të Manastirit në Maqedoninë e Veriut.
Përmes teknologjisë, informacioni për këto monumente ishte i aksesueshëm edhe për personat me aftësi të kufizuar.

“Janë 5 monumente të qytetit të Durrësit, Tiranës dhe Kavajës dhe 5 monumente nga qyteti i Manastirit në këtë ekspozitë. Pas përkthimit që ju bë materialit historik, teksti u lexua në gjuhën shqipe dhe u përfshi tek materiali 3D për secilin monument”.
“Qëllimi i ekspozitës është për t’i dhënë aksesueshmëri individëve me vështirësi në shikim, të cilët janë të përjashtuar përgjithësisht nga angazhimet e tyre në jetën kulturore dhe për më tepër hasin vështirësi për t’i parë monumentet“,- thanë ndër të tjera dy ideatoret e MuZEHLab, Inesa Sulaj dhe Dorina Xheraj.
Deri në datën 9 maj, në Durrës janë parashikuar një sërë aktivitetesh në kuadër të “Javës së Evropës”, ku do të angazhohen fëmijë dhe të rinj, persona me aftësi të kufizuara, studentë dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.
M.B.





