Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës do të presë më 2 nëntor rreth 8.500 studentë të ciklit të parë Bachelor, më shumë se 2.000 prej të cilëve ulen për herë të parë në auditorët tanë.

Për të lehtësuar ambientimin e tyre është organizuar “Java e Orientimit”. Ajo do të zgjasë nga datat 02-06 nëntor dhe synon të ndihmojë studentët e viteve të para të mësojnë shërbimet studentore, të familjarizohen me platformën online dhe me infrastrukturën e Universitetit, etj. Duke parë zhvillimet me pandeminë, mendojmë se kjo do të lehtësojë studentët për një fillim sa më të mbarë të vitit akademik.

Rregullore për zhvillimin e procesit mësimor në kushtet e pandemisë COVID-19

Në mbështetje të hapjes së vitit akademik, Senati Akademik ka miratuar një rregullore të brendshme për zhvillimin e procesit mësimor dhe veprimtarive akademike dhe administrative në kushtet e pandemisë COVID-19.

Universiteti do të ketë mësimdhënie të kombinuar. Mësimdhënia e kombinuar do të organizohet përmes Platformës së Menaxhimit të të Nxënit (Learning Management System) Moodle. Leksionet online do të njoftohen po në këtë platformë.

Është vendosur që provimet e ndërmjetme dhe ato finale do të zhvillohen në auditor, gjithmonë nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim të masave anti-Covid.

Sipas Rregullores, dhe në zbatim të Protokollit shtetëror, në rastet kur një student rezulton pozitiv klasa zhvillon mësim online për 14 ditë.

Komunikimi dhe nevojat e studentëve me autoritetet drejtuese do të plotësohen përmes asistencës së personelit me karakter ndihmës akademik, komunikimit elektronik, etj.

Rregullorja do të zbatohet me përpikëri, orari i përcaktuar dhe njoftuar për studentët po ashtu. Të gjithë do të ndjekin një plan konkret masash për hyrje-daljet nga godinat universitare, me sinjalistikën përkatëse dhe higjenizimin e vazhdueshëm të ambienteve.

Mësimdhënie e kombinuar (blended learning) me Platformën Moodle

Platforma e përzgjedhur për mësimdhënien online është Moodle. Stafi ynë po punon që edhe studentët që kanë paqartësi të sqarohen në Javën e Orientimit (java e parë).

Moodle është ndër platformat më të mira për mësimdhënie të kombinuar dhe ndihmon në administrimin, dokumentimin, ndjekjen dhe raportimin e aktiviteteve në auditor dhe virtualisht. Kjo e bën at ideale për rastin tonë.

Moodle ofron sigurinë që të dhënat e përdoruesve të jenë të mbrojtura, është “mobile friendly” dhe mund të përdoret nga telefonat e zgjuar dhe tabletat.

Studentët e viteve të para

Për të kaluar me sukses këtë fazë të vështirë, të gjithë studentët do të kenë mbështetjen maksimale të personelit akademik dhe atij administrativ. Studentët e viteve të para do të kenë vëmendje të veçantë. Ndaj, mësimi për ta do të jetë në auditor, kurse për vitet e dyta dhe të treta një javë në auditor dhe një javë online.