Ka startuar në Durrës Olimpiada e 18-të mbarëkombëtare “Fest Matematika 7” me pjesëmarrje të 42 fëmijëve nga të gjitha trevat mbarëshqiptare.

Ceremonia është zhvilluar në një shkollë jo publike, ndërsa Qendra Kulturore e Fëmijëve në bashkëpunim me bashkinë Durrës ka organizuar për tri ditë mikpritjen e fëmijëve e shoqëruesve të tyre.

Pjesëmarrës në këtë olimpiadë janë 42 fëmijë që përfaqësojnë Preshëvën, Kosovën  Maqedoninë e Shqipërinë. Durrësi përfaqësohet me tre nxënës të klasës së shtatë, 2 prej të cilëve pretendojnë pikët makimale prej 100 të tilla.

Avni Cuni, kreu i Qendrës Kulturore të Fëmijëve, tha gjatë ceremonisë se kjo është një traditë prej 18 vjetësh, dhe olimpiada ka autoritet të padiskutueshëm në përzgjedhjen e talenteve.

Nga olimpiada “Festa Matematika 7” kanë dalë dhjetëra fëmijë të talentuar që janë profesorë e shkencëtarë në universitetet më të mira të botës. Rasti i fundit është viti i kaluar ku nxënësi Gledis Kallço u rendit i treti në botë në olimiadën e matematikës në Kanada që ka dalë nga kjo olimpiadë nga klasa e katërt deri te e nënta.

Si Gledis Kallço, ka edhe shumë fëmijë të tjerë. Fituesit e kësaj olimpiade më 18 maj do të shkojnë në Gjilan të Kosovës ku do të zhvillohet faza përmbyllëse. Certifikimi i kësaj olimpiade është i njohur nga organizmat evropiane  dhe botërore. Një juri e përfaqësuar nga matematicienë  të mirëfilltë hartoi tezat e provimit të njohurive të një shkalle vështirësie të lartë, dhe me transparencë bëhet edhe dalja e rezultateve.

Organizmi i Olimpiadës në Durrës bëhet nga klubi Paskal i matematikës së Tetovës e sponsorizuar nga bashkia Durrrës. Olimpiadën e Matematikës e përshëndetën edhe autoritetet vendore në Durrës.

K.H.