7 shkolla të mesme të bashkisë Durrës i janë bashkuar prej javësh tashmë projektit të Qendrës Kulturore “Moisiu i Ri”.
Ai nuk është vetëm një projekt teatror, por një rrugëtim ku të rinjtë transformohen nga spektatorë në krijues aktivë. Dhe pikërisht këtë të hënë startoi shfaqja e parë teatrale “3 gra dhe një burrë” e vënë në skenë nga nxënësit e gjimnazit “Ismet Nanushi”.
Për javë të tëra, nxënësit e përfshirë në projekt kanë punuar me regjisorin Elios Ibro dhe sot entuziasmuan bashkëmoshatarët e tyre dhe mësuesit me performancën në skenë.
“Të punosh me të rinjtë ke mundësi të eksperimentoshpër një qasje shumë të re dhe nxënësit bashkëveprojnë të gjithë me njëri tjetrin në një projekt kaq të bukur që u mëson sesi krijohet një shfaqje teatrale. Është një projekt laborator, por më besoni që nuk është aq e thjeshtë”,- thotë regjisori Elios Ibro, që ka punuar me nxënësit për vënien në skenë të pjesës.
“Për ne ka qenë shfaqja e parë teatrale që kemi realizuar. Është një eksperiencë artistike dhe nëse do të kishim realisht mundësinë për të bërë sa më shpesh gjëra të tilla do të ishte shumë bukur”,- thotë gjimnazistja Alfrida Fasliu, e cila interpreton rolin e vejushës në pjesën teatrore.
Përgjatë këtyre javëve, kur gjimnazistët i janë nënshtruar audicioneve, provave, por edhe njohurive mbi procesin e krijimit të një pjese teatrale me të gjithë komponentët e saj si interpretimi, kostumografia, skenografia etj, ata kanë zgjeruar dijet e tyre mbi evoluimin e teatrit, nga skenat antike e deri në ditët tona.
Më datë 2 prill, ditëlindjen e gjigandit të skenës Aleksandër Moisiu, emrin e të cilit mban trupa e Durrësit do të ndahen çmimet fituese për shkollat dhe aktorët më të mirë të këtij projekti.
“Nuk është thjesht një aktivitet rutinë, por është një proces pune shumë i gjatë me këta fëmijë, është një proces gjatë të cilit ata kanë punuar me profesionistët e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu””-, bën të ditur drejtoresha e këtij institucioni, Alketa Tragaj.
Pjesë e projektit “Moisiu i ri” janë bërë gjimnazet “Ismet Nanushi”, “Jusuf Hoti”, “Dhosi Liperi”, “Olsi Lasko”, “Leonik Tomeo”, Gjergj Kastrioti” dhe “Naim Frashëri”.
M.B.





