21 janar 2015 –  Kampionati shqiptar rikthehet në fushë këtë fundjavë me dilemat që mbartin skuadrat pas minifazave përgatitore dhe lëvizjeve në merkato. Për organizatoren e garës FSHF, gjithcka është gati për rifillimin e kampionatit gjë që konfirmohet nga shefi i garave në këtë institucion Lysien Nurishmi.

"Këtë fundjavë fillon kampionati. Të shtunën janë 3 ndeshje dhe të dielën janë 2 ndeshje. Janë marë masat e duhura teksa jemi në pritje të procedurave për federimet e lojtarëve të rinj. Ndërkohë disa klube që kanë kryer afrime në merkato kanë nisur procedurat e federimeve. Sektori i garave ka nisur një proces mirëinformimi me klubet për të gjitha rregulloret e garës. Lojtarët dhe stafet teknikë dhe ata drejtues do të jenë më të qartë për rregulloren në fushën e lojës".

Por jo gjithcka është gati, pasi dy skuadrat e kryeqytetit për momentin janë pa shtëpi, duke qënë se po punohet për shtrimin e tapetit të gjelbër në të dy stadiumet, Qemal Stafa dhe Selman Stërmasi.

"Në javët e para do të kemi një problem përsa i përket dy stadiumeve të kryeqytetit. Me mbarimin e punimeve do të kemi më shumë cilësi pasi fushat e reja të lejojnë të kesh rendiment të lartë. Uroj që gara të jetë e bukur deri në fund. Shpresoj të kemi fair play dhe të fitojë më i miri".