Viti i ri shkollor startoi sot në Durrës nën protokollet e sigurisë të Covid-19. Në hyrje të shkollës, nxënësve u matej temperatura, ndërsa në rreshtimin sipas klasave ruheshin distancat e sigurisë.

Vogëlushët e klasës së parë në shkollën 9-vjeçare “Jusuf Puka” ishin më të emocionuarit. Me lule në duar për mësuesen e parë, ata nisin sot rrugën e bukur të dijes.

Ndërkohë, nxënësit e ciklit 9-vjeçar rikthehen në klasa pas një viti të kombinuar mes mësimit online dhe mësimit me turne. Për ta rikthimi në shkolla është mëse i mirëpritur.

Të emocionuar ndihen edhe prindërit e nxënësve, të cilët shpresojnë se këtë vit vogëlushët e tyre do të mund të zhvillojnë mësim normal në ambientet e shkollave.

Drejtoresha e shkollës Blerta Maliqati ka një urim për të gjithë nxënësit dhe stafin pedagogjik në këtë vit shkollor.

“Ju uroj të gjithë fëmijëve, prindërve dhe të gjithë mësuesve të shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka” suksese, suksese dhe vetëm suksese. Dhe një urim i veçantë shkon për të gjithë mësuesit që janë heronj në të gjithë Shqipërinë. Suksese në këtë vit të ri të vështirë mes sfidash.”

Në shkollën “Jusuf Puka” këtë vit të ri shkollor ulen për herë të parë në bankat e shkollës 54 fëmijë të klasës së parë.

M.B.