Atmosferë emocionuese në të gjitha rrugët dhe shkollat e Durrësit. Lëvizje, zëra të gëzuar, lule dhe emocione pafund. Nuk mungojnë as lotët. Mbi 37 mijë nxënës të shkollave 9 vjeçare dhe të mesme të rrethit të Durrësit, nisin sot vitin e ri shkollor në 113 objekte shkollore. Gjithçka është gati për fillimin e një tjetër viti të ri shkollor, por jo pa probleme.

Zilja do të jehojë në shumicën e shkollave 9-vjeçare dhe ato të mesme të Durrësit, ndërsa për herë të parë në bankat e shkollës do të ulen rreth 3 250 nxënës, të cilët do e mbajnë mend gjatë këtë vit të parë në rrugën e dijes, vit që përkon edhe me 100 vjetorin e pavarësisë së vendit. Një vit jubile që do t’i afrojë fëmijët edhe më shumë me dijen përmes përpjekjeve për të nxënë dhe për t’ia dalë mbanë.

Një vit i ri nis dhe për mësuesit nga pjesa më e madhe e të cilëve, të paktën prindërit, presin më shumë angazhim në drejtim të përcjelljes së njohurive në mënyrën e duhur për të mundësuar sa më pak orë pune me ta në shtëpi. Mësuesit nga ana tjetër shpresojnë për nxënës gjithnjë e më të disiplinuar që të vlerësojnë institucionin e shkollës e ta respektojnë atë, duke mos i marrë orës mësimore një pjesë të mirë të kohës për të vendosur qetësinë.

Ndonëse shpesh sistemi arsimor publik kritikohet nga prindërit për këtë, shumica e prindërve zgjedhin shkollat publike si institucione të edukimit të fëmijëve të tyre. Në rrethin e Durrësit ndodhen 72 shkolla 9 vjeçare publike, 21 prej të cilave janë në qytetin e Durrësit, si dhe 13 shkolla jopublike.

Ndërkaq numri i shkollave të mesme këtë vit arrin në 28 me shkollën e re të kënetës, e cila nuk do t’i hapë dyert sot. Në qytet ndodhen 5 shkolla të mesme të përgjithshme publike dhe 4 të mesme profesionale, gjithashtu publike. Sistemi shkollor edhe këtë vit përballet me vështirësi. Shkollat 9-vjeçare në qytetin e Durrësit dhe një pjesë e shkollave të mesme do ta zhvillojnë mësimin me turne.

Ka shkolla të mbipopulluara, si “Bajram Curri”, “Marie Kaçulini”, “Shaqe Mazreku”, “Naim Frashëri” dhe “Leonik Tomeo”, ku mësimi do të zhvillohet në klasa me më shumë se 40-45 nxënës dhe natyrisht me turne, për shkak të mungesës së ambjenteve. Ashtu siç ka dhe shkolla, si “Gjergj Kastrioti”, që kërkojnë më shumë nxënës për të plotësuar klasat. Në fshatra situata është më e qetë.

Përtej kësaj problematike, të gjitha pritshmëritë janë vendosur te kjo ditë dhe do të shtrihen përgjatë të gjithë vitit shkollor 2012-2013 dhe ne urojmë: Vit të mbarë shkollor për të gjithë!

Mungojnë tekstet

Shpërndarja është në proces e sipër. Nga kontaktet në shkolla të ndryshme me mësues, nxënës dhe prindër mësohet se shpërndarja e librave nuk ka përfunduar. Është bërë traditë tashmë që nxënësit shqiptarë të mos i kenë të gjitha librat në çantën e shkollës para nisjes së saj. Një pjesë arrijnë t’i marrin në kohë dhe një pjesë jo.

Sistemi shkollor edhe këtë vit përballet me vështirësi. Shkollat 9-vjeçare në qytetin e Durrësit dhe një pjesë e shkollave të mesme do ta zhvillojnë mësimin me turne. Shpërndarja e teksteve është duke vazhduar në shumë shkolla të Durrësit. Procesi pritet të përfundojë më 17 shtator

Nëpër shkolla tregojnë se ka mungesa në tituj. Nëpër librari, atje ku prindërit sorrollaten për të gjetur librarinë që shpërndan librat e shtëpisë botuese me të cilat e zhvillon mësimin shkolla ku mëson fëmija i vet thonë se ka mungesë në sasi. Edhe në Drejtorinë Arsimore Rajonale thonë se ka mangësi në sasinë e librave, por titujt janë, shumica e tyre të paktën.

Rastësisht aty dëgjojmë se raportohet mungesa e librave të Edukatës shoqërore për klasat 2 dhe 4, botime të “Dita 2000”. Pavarësisht kësaj situate, autoritetet shprehen optimiste se procesi i shpërndarjes së librit do të mbarojë brenda afatit të përcaktuar.

Deri në datën 17 shtator të gjithë nxënësit e sistemit 9 vjeçar dhe atij parauniversitar do të jenë të pajisur me të gjithë titujt e librave. Në fund të fundit për të arritur këtë afat janë të interesuara dhe shtëpitë botuese të cilat sigurojnë fitimet nga shpërndarja dhe siguria e blerjes. 

Abetarja e përbashkët

Afro 3 mijë e 250 vogëlushë, që sot për herë të parë shkojnë në shkollë, do të mësojnë të shkruajnë dhe lexojnë nga abetarja e përbashkët gjithëshqiptare. Ky është teksti themeltar shkollor i hartuar nga katër autorë, dy nga Shqipëria dhe dy nga Kosova, që i çel rrugën hartimit të teksteve të tjera të përbashkëta shkollore që do të përdoren në dy shtetet e kombit shqiptar në Ballkan, me shpresën se një ditë dhe shqiptarët e Maqedonisë, Preshevës dhe Bujanovcit do të mund të përdorin të njëjtën abetare të njëhsuar të gjuhës sonë, një nga gjuhët më të vjetra në botë, degë e veçantë e gjuhëve indoevropiane.

 

Regjistrimet në klasë të parë

Në qershor të këtij viti Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte parashikuar që në rrethin e Durrësit do të nisin klasën e parë në shkollat publike 2960 fëmijë dhe 290 të tjerë në shkollat jopublike. Në zyrën e statistikave në Drejtorinë Arsimore të Durrësit deri të premten shkollat kanë raportuar regjistrimin e 2676 nxënësve në klasën e parë. Ndërkohë numri i tyre, ashtu si dhe i nxënësve të klasave të tjera në shkallë rrethi pritet ta kalojë parashikimin, pasi regjistrimet do të vazhdojnë dhe gjatë ditëve të para të shkollës, ndërkohë që në numrin e përgjithshëm do të ndikojnë edhe numri i të ardhurve nga emigracioni, kryesisht nga Greqia, por edhe nga lëvizjet e brendshme migratore.

Flavia Çuka, 6 vjeçe:

Mezi e pres fillimin e shkollës. Është hera e parë, dita e parë dhe mendoj se shkolla do të jetë shumë e bukur. Atje do të shkruaj, do të mësoj dhe do të kthehem në shtëpi. Në shkollë hahet dhe bukë, apo jo (sheh nga e ëma)? Pastaj ditën tjetër kur të shkoj prapë në shkollë do të takoj shoqet dhe shokët. Me mua në shkollë do të jenë edhe Skerda me Lunën. Po një gjë e di mirë unë, në shkollë duhet të mësosh më shumë se në kopsht.

Arenc Shtëmbari, 6 vjeç:

Më erdhi pak keq që kopshti mbaroi se atje bëja gjëra të bukura, po ditën e parë të shkollës e pres me qejf, me shumë gëzim se do të mësoj abetaren. Do të mësoj të shkruaj e të lexoj. Pak di. Pres që shkolla të jetë e bukur, të mësoj gjëra të reja. E kam takuar mësuesen dhe mezi pres t’i dhuroj lule natyrale, plot aromë. Mezi pres të njoh dhe shokë të rinj dhe ndonjë shoqe. Besoj se do kaloj bukur këtë vit me ta.

Erka Koka, 6 vjeçe:

Unë kam zgjedhur shkollën “Kushtrimi i lirisë”. Atje punon dhe tezja ime, po ajo nuk do të jetë mësuesja ime, atje. Jam shumë e kënaqur që do të filloj shkollën dhe do të mësoj shumë që të bëhem një vajzë e zonja. Do njoh dhe plot shokë e shoqe dhe do mësoj shumë gjëra. I kam blerë të gjitha, çantën, librat, fletoret, lapsat me ngjyra. Kam zgjedhur dhe rrobat që do vesh të hënën, ditën e parë të shkollës.