8 Korrik 2014 – Në futboll ka vetëm një ndeshje që mund të konsiderohet si derbi i Botës, Brazil-Gjermani. Historia e kompeticionit më madhështor në glob lidhet ngushtë me të dyja këto përfaqësuese, tetë tituj të fituar, gjithmonë mes pretendenteve dhe skuadra simbol të suksesit. Kur mendon për Botërorin nuk mund të mos mendosh për fintet e Peles dhe Garrinchës, për “Mrekullinë e Bernës”, për kajzerin Franc Bekenbauer, për “gjuetarin” e golit Gerd Muller apo për silurin e Carlos Alberto në Botërorin e 1970. Shumë kujtime lidhen pikërisht me këto dy përfaqëuese, të cilat dhe pse sistematikisht kanë qëndruar në çatinë e botës, vetëm një herë janë sfiduar mes tyre, në finalen e vitit 2002 të fituar nga brazilianët. Por sfidat në distancë kanë qenë gjithmonë të pranishme aq sa kur shifrat e historisë krahasohen Gjermaninë dhe Brazilin i gjen gjithmonë përballë. Brazili është ekipi që ka fituar më shumë trofeun, 5 herë ndërsa Gjermania paraprihet dhe nga Italia, pasi ka mundur të triumfojë 3 herë, por numrin më të madh të ndeshjeve në një Kupë Bote e kanë luajtur pikërisht ata, plot 104 kundrejt 102 të Selesaos, që është e vetmja përfaqësuese pjesmarrëse në të gjithë edicionet e këtij turneu. Por nëse gjermanët kanë luajtur më shumë, brazilianët kanë shënuar më shumë se të gjithë plot 220 herë, kundrejt 216 të pancerave. Gjermania kryeson në numrin e finaleve të luajtura, 7 kundrejt 6 të Brazilit, ndërsa përjashto 1938 dhe 1978 që s’mund të konsiderohej realisht si një gjysmëfinale, pasi ekipet ishin të ndara në grupe kombëtarja verdhëjeshile sa herë ka luajtur në këtë fazë gjithmonë ka arritur të zhvillojë ndeshjen e fundit të Botërorit.
Gjermanët mbajnë rekordin Botëror me 12 gjysmëfinale, por në krahun tjetër amerikano-jugorët dalin në avantazh në numrin e fitoreve, 70 kundrejt 64 të teutonëve ashtu siç kryesojnë dhe numrin e humbjeve, 17 kundrejt 20. Kombëtarja “Pentacampeao” është e vetmja që ka fituar dy herë titullin duke regjistruar vetëm fitore, në 1970 dhe 2002 ndërsa ka dhe serinë më të gjatë të sukseeve radhazi në Botëror plot 11, të vendosur nga viti 2002 deri në 2006 ashtu si dhe numëron më shumë ndeshje pa humbje në këtë kompeticion, plot 13 nga 1958 deri në sfidën me Bullgarinë në 1966. Rregullat e futbollit gjithashtu janë ndryshuar për shkak të këtyre dy kombëtareve, siç është rasti më i fundit ai i përfshirjes së teknologjisë, për shkak të golit fantazmë të pësuar nga Neuer në 2010. Një brazilian dhe një gjerman gjithashtu janë dy kryegolashënuesit më të mirë në historinë e Botërorëve me nga 15 gola, Klose dhe Ronaldo, ashtu si dhe Pele e Breitner janë të vetmit lojtarë që kanë shënuar në dy finale të ndryshme, Pele në 1958 dhe 1970 kurse Breitner në 1974 dhe 1982. Pra një betejë e vazhdueshme shifrash mes dy superfuqive, që këtë herë do të transferohen në fushën e “Belo Horizontes” në atë që konsiderohet dhe si një Finale e parakoshme e Brazil 2014.





