Teuta do ta mbyllë sezonin në Durrës me Egnatian, duel që premton spektakël, përpos faktit që janë me objektiva të arritur. Teuta do të tentojnë të vijojë aty ku e la me Tiranën. Ekipi i drejtuar nga Bledar Hodo, shpreson të marrë maksimumin, kjo pasi misioni i tyre janë vetëm 3 pikët.Siç dihet, në 19 takime të zhvilluara mes tyre, që nga ngjitja e Egnatias në Superiore, rrogozhinasit kanë arritur të fitojnë vetëm në një rast. Ndërkohë, 12 fitore janë marrë nga “Djemtë e Detit” dhe 6 takime mes tyre kanë përfunduar në barazim. Flasin faktet, por gjithçka i mbetet fushës. Rrogozhinasit nuk janë të njëjtët.

Teuta vijojnë përgatitjet intensive nën drejtimin e trajnerit Bledar Hodo. Duhet të jetë dita e Teutës për t’u vijuar me rezultatet pozitive. Kundër rrogozhinasve, tekniku Hodo, dhe stafi teknik kanë zhvilluar dje pasdite një seancë tekniko-taktike, duke vijuar edhe javën anti-Egnatia. Skuadra po punon intensivisht. Në takimin e së dielës ekipi do të jetë i plotë, duke i dhënë mundësinë Hodos të përzgjedhë formacionin më të mirë. Në këtë ndeshje mund të këtë dhe rrotacion, kështu që mundësia për disa lojtarë është evidente.E megjithatë, para se të niste stërvitja për llogari të javës së fundit, fillimisht trajneri Hodo dhe stafi i tij kanë zhvilluar një analizë të shkurtër me të gjithë ekipin.

Tekniku ka shpjeguar planin stërvitor para grupit. Misioni mbetet i qartë: të bëjnë një ndeshje të mirë, pasi kampionati po ul siparin e tashmë blutë janë të qetë. Përgatitjet kanë nisur me ritëm, por ajo që ra në sy ishte që repartet punuan të veçuara. Sulmi është sektori që po merr vëmendjen më të madhe. Të paktën, kjo u kuptua edhe dje, ndërsa trajneri kërkonte më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione nga lojtarët anësorë. Hodo pret me ngulm që skuadra ta mbyllë me rezultat të mirë, por pse jo të rikthehet edhe te golat e shumtë dhe jo me pikatore. Stafi teknik po e përgatit me kujdes takimin, me shpresën që të vijojnë aty ku e lanë me Tiranën.